
Njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri, për FrontOnline i konsideron si skandaloze shifrat e shpenzimeve të institucioneve, për rreth shtatë muaj.
Sipas tij, kjo tregon se përkundër se shteti ka qenë në ‘’pushim politik’’, buxheti i shtetit ka qenë ‘’punë të madhe’’.
‘’Këto shifra janë skandaloze për një shtet që s’ka funksionuar normalisht për muaj të tërë. Kur Qeveria është në detyrë dhe Kuvendi i bllokuar, çdo euro e shpenzuar duhej të kalonte përmes filtrit të përgjegjësisë, jo luksit. Por këtu duket se është ndodhur e kundërta – shteti ka qenë në “pushim politik”, ndërsa buxheti në “punë të madhe”, tha ai.
Për më tepër, ai i konsideron si tallje me qytetarin këto shpenzime, duke potencuar se gjatë kësaj kohe s’ka pasur as vendime të mëdha dhe as reforma.
‘’Të harxhosh mbi 8 milionë euro për udhëtime dhe miliona të tjera për telefona e naftë, në një periudhë kur s’ka pasur as vendime të mëdha e as reforma, është tallje me qytetarin që e paguan këtë sistem me taksa. Këto nuk janë shpenzime, janë simptoma të një shteti që e trajton buxhetin si plaçkë, jo si instrument zhvillimi’’, tha ai.
Sipas tij, kjo më shumë duket sikurse të ishte ‘’muaji i fundit’’ për tu pasuaruar dhe garë për shfrytëzimin e fondeve.
‘’Në vend që të kursehej, që çdo euro të kanalizohej për shërbime publike, kemi parë një garë për shfrytëzim maksimal të fondeve – sikur secili ta ndiente se ky është “muaji i fundit” për t’u pasuruar me para publike. Ky është realiteti i një administrate që nuk e njeh as përgjegjësinë financiare, as turpin politik’’, tha ai.