Analisti politik, Artan Muhaxheri, për FrontOnline, ka komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shpërndarë 100 euro për pensionistët dhe fëmijët deri në 16 vjeç, duke e cilësuar atë si një masë të përsëritur, në mungesë të planeve më afatgjata dhe racionale.
‘’Vendimet e tilla tashmë janë bërë rutinë në mungesë të planeve më afatgjate, racionale, sistematike’’, thotë ai.
Sipas Muhaxherit, kjo qasje, që tenton të krijojë një përafrim politik përmes shpërndarjes së parave, është zhgënjyese, pasi nuk ofron ide kreative për përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve të Kosovës.
‘’Kjo qasja e tentimit të blerjes së një lloj përafrimi politik me dhënien e parave në këtë mënyrë është shumë zhgënjyese sepse tregon sepse tregon ide kreative se si të përmirësohet gjendja ekonomike e qytetarëve të Kosovës’’, shton Muhaxheri për FrontOnline.
Ai theksoi se çdo pagesë është e mirëseardhur, por vuri në dukje se vendime të tilla mund të ishin marrë më herët, dhe jo në prag të fushatës zgjedhore, duke nënkuptuar se kjo mund të shikohet si një masë e motivuar nga synime politike.
‘’Secila pagesë është e mirëseardhur, por duhet shikuar edhe konteksti i kohës dhe vendime e tilla mund të bëheshin më herët, pasi tani jemi në fushatë zgjedhore’’ potencoi ai.