
Ekonomisti Arton Muhaxheri në një prononcim për “Front Online” foli për premtimet e kryeministrit Albin Kurti lidhur me ekonomi.
Muhaxheri thot se këto masa mund të kenë ndikim pozitiv në afat të shkurtër, por kërkojnë bazë të fortë ekonomike për të qenë të qëndrueshme.
“Janë masa që në parim kanë efekt pozitiv afatshkurtër në mirëqenie. Ato mund të rrisin konsumin, të lehtësojnë barrën për familjet dhe të stimulojnë punësimin, sidomos nëse zbatohen me kritere të qarta dhe kontroll efektiv”, u shpreh Muhaxheri.
Ai ka paralajmëruar se sfida kryesore mbetet qëndrueshmëria fiskale dhe efekti real afatgjatë i këtyre politikave.
“Sfida kryesore mbetet qëndrueshmëria fiskale dhe efekti real afatgjatë. Nëse këto masa nuk mbështeten nga rritje e produktivitetit, investime dhe zgjerim i bazës tatimore, ato mund të krijojnë presion mbi buxhetin ose të kenë efekt të kufizuar strukturor”, ka deklaruar ai.
Ai ka nënvizuar se politikat sociale janë të mirëseardhura, por duhet të shoqërohen me reforma strukturore që garantojnë rritje të qëndrueshme ekonomike.
“Paga mesatare 1000 euro dhe paga e 13-të nuk arrihen vetëm me vendim politik, por me zhvillim ekonomik real. Rreziku është që përfitimi të jetë i përkohshëm dhe më shumë social sesa transformues për ekonominë”, ka thënë Muhaxheri për “Front Online”.