Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Skender Reçica dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë Maria Suokko, kanë takuar sot disa nga punëkërkuesit, të cilëve u janë ndarë pajisjet e nevojshme për të filluar punën në bizneset e tyre si përfitues të Programit të vetëpunësimit për të riatdhesuarit që është shpallur këtë vit.
Ministri Reçica ka thënë se është shumë i lumtur që në këtë kohë të vështirë të përballjes me pandeminë COVID-19 si ministri kanë arritur t’i mbështesin qindra qytetarë për t’u bërë pjesë e tregut të punës me anë të bizneseve të tyre.
“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me UNDP në Kosovë, këtë vit nëpërmjet Fazës së parë të Programit të Vetëpunësimit kemi përkrahur 136 punëkërkues në hapjen e bizneseve të tyre, ndërsa ditë më parë shpallëm edhe fazën e dytë të Programit të vetëpunësimit ku do të mbështeten edhe shumë punëkërkues të tjerë të riatdhesuar në Kosovë, ka thënë ministri Reçica.
Reçica ka thënë se krahas Programit të Vetëpunësimit, po mbështesin në punësim afatgjatë punëkërkuesit edhe përmes Programit të Subvencionimit të Pagës, në bashkëpunim edhe me bizneset, si përpjekje për të ndihmuar punëkërkuesit dhe bizneset në vend.