Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas lajmeve për blerjen e tri veturave të markës BMW.
Përmes një reagimi për media MPJD, ka theksuar se procedura (e negociuar) për blerjen e tri veturave të markës BMW, ka nisur me datën 24 maj 2019, nga departamentet përgjegjëse të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Procedurat janë zhvilluar në pajtim me ligjet në fuqi, në akordancë të plotë me Ligjin e prokurimit publik, për blerje të tilla, dhe kanë nisur pas kërkesës që është shprehur nga departamentet përkatëse të Ministrisë, të cilat kanë konsideruar se pritja e delegacioneve të huaja qeveritare të cilat vizitojnë Kosovën duhet të bëhet në mënyrë dinjitoze, pasi kjo tregon edhe përshtypjet e para dhe imazhin e vendit të ri.
Kontrata për blerjen e tyre është firmosur me datën 14 qershor të vitit 2019 ndërmjet BMW AG Munchen dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, kur MPJD drejtohej nga ish ministri Behgjet Pacolli”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie.
Demokracia Studentore: Në kohë të pandemisë studentët s’kanë para për semestër, ndërsa Qeveria blen vetura
Ministria thekson se veturat janë sjellë në Kosovë në dhjetor të vitit 2019, kanë qenë gjithmonë brenda objekteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe për përdorimin e tyre është vendosur varësisht nga nevoja.
“Tri veturat, tashmë në pronësi të MPJD janë blerë me çmim të arsyeshëm të tregut, me një zbritje, e cila ka qenë edhe arsyeja e zgjedhjes së ministrisë për t’i blerë këto vetura.
Për dijenin tuaj, kompanitë e markave të njohura të veturave, siç është BMW, ofrojnë gjithmonë çmime jashtë konkurrencës për misionet diplomatike, pasi këtë e konsiderojnë edhe si marketing dhe imazh të mirë për kompaninë.
Dera e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës është gjithmonë e hapur për medie dhe çfardolloj informacioni që kërkohet prej saj, e i cili mund të ndahet me publikun. Por, gjithashtu pret edhe nga mediet të bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale, të përdorin burimet zyrtare e kredibile të informacionit dhe të mos bien pre e gazetarisë euforike e spekulative”, thuhet në fund të reagimit të MPJD-së.