Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm do të zvogëlojë kuotën e emërimeve politike dhe do të ofrojë saktësi të dispozitave si dhe siguri juridike për diplomatët e karrierës, ka thënë të shtunën Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovë, në një njoftim pas punëtorisë së grupit punues për rishikimin e këtij ligji.
Sipas njoftimit, në takimin e fundit u shqyrtuan komentet e fundit të draftligjit para se ai të dërgohet për konsultim dhe miratim në Qeveri.
“Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm do të zvogëlojë ndjeshëm kuotën e emërimeve politike dhe do të ofrojë saktësi të dispozitave si dhe siguri juridike për diplomatët e karrierës. Ky ligj do të krijojë një shërbim të jashtëm funksional, efikas dhe të bazuar në llogaridhënie precize”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.
Njoftimi thekson se ministrja Meliza Haradinaj-Stublla ka “ofruar mbështetjen e plotë të saj anëtarëve të Grupit Punues, që drafti final i këtij Ligjit të jetë profesional me synimin që të eliminojë çdo mundësi për keqinterpretim të tij, siç ka ndodhur në të kaluarën, dhe të zvogëlojë dukshëm kuotën e emërimeve politike në diplomaci”.
“Me këtë rast Ministrja Haradinaj-Stublla tha se ky është momenti i duhur që ky ligj të miratohet sa më shpejtë, marrë parasysh nevojën për përshtatjen me aktualitetin e ri në politikën e jashtme, si dhe faktin se Shërbimi i Jashtëm funksionon me ligje të miratuara para dymbëdhjetë viteve”, thuhet më tej në njoftim, me Haradinaj-Stubllën që ka thënë se me këtë ligj eliminohen “boshllëqet dhe paqartësitë aktuale që lejojnë keqzbatimin dhe interpretimin e pasaktë”.
Në fund të njoftimit theksohet se ligji do të ketë si dispozitë kalimtare edhe vettingu diplomatik.