Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë ka reaguar lidhur me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, duke theksuar se janë të shqetësuar thellë për këtë dhe se e dënojnë fuqishëm si akt, raporton Front Online.
“Vendimi i marrë nga udhëheqësit e një populli që u ballafaqua me vuajtje të mëdha për hir të fitimit të pavarësisë së saj, duke injoruar gjendjen e vështirë të palestinezëve, të cilët kanë jetuar nën-okupim për dekada dhe kanë vuajtur shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut , është jashtëzakonisht për të ardhur keq”, thuhet në reagim.
Tutje u shtua se duke vepruar në këtë mënyrë, udhëheqësit kosovarë kanë vepruar në kundërshtim me parametrat e vendosura të procesit të paqes, duke përfshirë rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara për statusin e Jerusalemit.
“Dhe duke dëmtuar vizionin e një zgjidhje në mes dy shteteve dhe shpresat e paqes në rajon”.
Përmes një reagimi të bërë nga kjo ministri në rrjetet sociale i është bërë thirrje lidershipit kosovar që të heq dorë nga ky hap, të cilin e cilësojë të papërgjegjshëm.
“Ne i inkurajojmë udhëheqësit kosovar që të dëgjojnë mendjen e shëndoshë dhe të heqin dorë nga ky hap i papërgjegjshëm dhe i paligjshëm”, thuhet ndër të tjerash në reagim.
Ambasada e Kosovës në Jerusalem është hapur sot, ndërsa më parë presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan kishte kërkuar nga Albin Kurti, si fitues i zgjedhjeve të fundit në Kosovë, që ta ri-konsideronte një veprim të tillë duke thënë se një gjë e tillë mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës.
https://www.facebook.com/tcpristinebe/posts/3333496853417651