Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit, e ka mirëpritur hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Përmes një publikimi të bërë në faqen zyrtare në Twitter thuhet se është bërë një zhvillim i natyrshëm në mes të dy shteteve.
“Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit e mirëpret ngrohtësisht hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Një zhvillim i natyrshëm i marrëdhënieve mes dyja shteteve në të cilën u realizua edhe marrëveshja e Washington-it”, thuhet në këtë publikim, transmeton lajmi.net.
Në hapjen zyrtare të Ambasadës së Kosovës në Jerusalem nuk pati asnjë përfaqësues të institucioneve të Kosovës.
Ministri në detyrë në MPJD, Besnik Tahiri deklaroi se kjo u pamundësua shkaku i pandemisë së virusit COVID-19.
Por reagime të shumta pati për mos-praninë e përfaqësuesve shtetërorë në këtë ceremoni. Njohja nga shteti i Izraelit si dhe hapja e Ambasadës sot, janë dy hapa mjaftë të rëndësishëm sa i përket diplomacisë kosovare.
Por kundër hapjes së ambasadës kanë reaguar nga Partia Demokratike Turke.
PDT ka shprehur shqetësimin, duke theksuar se Turqia vazhdimisht ka qenë kundër kësaj dhe deputetët turq në Kuvendin e Kosovës e kanë konsideruar si hap të gabuar.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar dhe të brengosur nga hapja e Ambasadës në Jerusalem, statusi ndërkombëtar i së cilës është nën mbrojtje me rezolutat e KB. Pavarësisht këshillave të vendeve evropiane, Republikës së Turqisë dhe paralajmërimeve tona në Parlament, qeveria, e cila gjithashtu ka dalë nga marrja e mbështetjes së popullit të Kosovës, ka diskutuar këtë hap të gabuar që vendi po përpiqet ta finalizojë”, u tha në reagim.