Që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar qytetarët e Kosovës nuk kanë mundur të pajisen me targa “RKS”, raporton Front Online.
Mungesa e këtyre targave deri më tani ka ndodhur për shkak të mungesës së kontratës për furnizim me targa RKS.
Qytetarët në vend të targave, po pajisen me targa të përkohshme “PR”, të cilat janë nga materiali i letrës.
Në një përgjigje për Front Online, nga zyra për informim e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) kanë thënë se furnizimi me targa RKS pritet të nisë brenda një muaji.
“Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kontratës për furnizim me targa të automjeteve. Duke qenë se tani më është nënshkruar kontrata për furnizim me targa me një operator ekonomik, furnizimi me targa pritet të bëhet brenda një muaji”, kanë thënë për Front Online nga kjo zyrë.
Front Online ka raportuar për mungesën e këtyre targave dhe “revoltimin” e qytetarëve me institucionet për shkak të mospajisjes me to dhe pamundësisë për të dalë jashtë shtetit./Front Online/
S’ka targa RKS për automjete, qytetarët të mllefosur me institucionet