Mot i ndryshueshëm do të mbizotëroj në Kosovë gjatë javës së dytë të muajit shkurt. Deri të enjten parashihet mot me diell e herë-herë me reshje shiu dhe borë. Ndërsa nga e dita e premte do të mbajë mot i ftohtë.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve të ardhshme do të lëvizin ndërmjet -3 deri 5 gradë Celsius, kurse ato maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-14 gradë Celsius.
“Java e dytë e muajit shkurt do të vijoj me kushte të ndryshueshme atmosferike. Parashihet të ketë diell shi erë dhe borë. Deri ditën e enjte parashihet mot i ndryshueshëm dhe herë-herë me reshje shiu duke mos i përjashtuar edhe intervalet me diell. Nga dita e premte vendi ynë do të ndikohet nga masat e ftohta të ajrit të cilat do të krijojnë kushte që gjatë vikendit të sjellin reshje bore ndonëse të intensitetit të dobët, por që parashihet të ketë rënie të theksuar në fushat termike. Temperatura minimale gjatë këtyre pesë ditëve të ardhshme do të lëvizin ndërmjet -3 deri 5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-14 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga jugperëndimi dhe verilindja me shpejtësi 1-12m/s, ndërsa në pjesën veriore të Dukagjinit shpejtësia maksimale e ajrit mund të arrijë deri 18m/s”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Kjo situatë e ndryshueshme meteorologjike do të ndikoj pozitivisht në cilësinë e ajrit. Gjatë vikendit pos reshjeve do të ketë edhe ngrica dhe apelohet që ngasësit e automjeteve të kenë kujdes në rrugë.