Partitë politike në Kosovë që nga shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të cilat pritet tw mbahen me 14 shkurt, kanë filluar takimet me qytetarë, duke mos i respektuar masat e marra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, raporton Front Online.
Mbajtja e këtyre takimeve pa masa mbrojtëse po shihet si rrezik për përhapjen e Coronavirusit në Kosovë, pasi që numri i të infektuarve në javët e fundit ka shënuar rritje, duke bërë që të identifikohen edhe tri raste të reja me variantit e ri të virusit.
Lidhur me këtë, Drejtori i Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, në një prononcim për Front Online, tha se në të gjitha tubimet që mblidhen, qytetarët mund të shkaktojnë përhapjen e infeksionit.
Ai tha se disa herë kanë apeluar që të respektohen masat mbrojtëse për përhapjen e Covid-19.
“Pa marrë parasysh llojin e virusit, të gjitha tubimet që mblidhen qytetarët mund të shkaktojnë përhapje të infeksionit. Instituti ka apeluar disa herë që të gjithë qytetarët, institucionet, organizatat t’i respektojnë dhe t’i marrin të gjitha masat e nevojshme për parandalim e Covid-19, duke i pasur parasysh dispozitat e ligjit për parandalimin dhe luftimin e covid-19”, tha Ramadani./Front Online/