×
  • Lajme
  • Lajme

    Mospajtime të mëdha në BE rreth heqjes së masave ndaj Kosovës

    FrontOnline
    15 Dhjetor 2024

    Këshilli i Bashkimit Evropian do të mund të deklarojë javën që vjen se do t’i heqë gradualisht masat ndëshkuese ndaj Kosovës, por paralelisht me hapat tjerë që duhet të ndërmarrë Kosova për t’i ulur tensionet në veri.

    Kjo porosi do të duhej të ishte pjesë edhe e konkluzioneve të ministrave të vendeve anëtare, që do të takohen të martën, më 17 dhjetor, në Bruksel në të ashtuquajturin Këshill i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian.

    Por, edhe në këtë pikë ka dallime në qëndrime mes vendeve anëtare, prandaj për këto konkluzione do të ketë sërish diskutime të dielën mes ambasadorëve të vendeve anëtare.

    Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në draftin e këtyre konkluzioneve ku përmenden edhe çështjet tjera lidhur me procesin e zgjerimit të BE-së.

    “Në përputhje me deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë, në emër të BE-së, BE-ja i ka zbatuar masat ndaj Kosovës. Këshilli do t’i heqë gradualisht këto masa, paralelisht me hapat tjerë të Kosovës për shtensionim në veri. Këshilli do të merret me ketë çështje”, thuhet në versionin e fundit të draftit të konkluzioneve që do të duhej të miratoheshin të martën në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme.

    Versioni i mëhershëm nuk përmendi fare heqjen e masave dhe ishte pothuajse i njëjtë sikurse ai i vitit të kaluar, duke injoruar faktin se Përfaqësuesi i Lartë kishte dhënë ndërkohë rekomandime që masat të hiqeshin.

    Përderisa versioni i mëhershëm i draftit të konkluzioneve dukej “shumë negativ” sa u përket masave ndaj Kosovës, versioni i ri, disa vendeve u duket “tepër pozitiv”.

    Prandaj është e paqartë se si do t’iu referohen vendet anëtare këtyre konkluzioneve

    Në disa takime të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së janë shfaqur dallime sa u përket masave ndaj Kosovës. Shumica e vendeve anëtare kanë kërkuar që ato të hiqen menjëherë dhe në tërësi. Por disa vende tjera, të udhëhequra nga Franca dhe Italia, duan që masat të hiqen gradualisht.

    Vazhdimi i mospajtimeve rreth mënyrës së heqjes së masave ndaj Kosovës ka bërë që ato të mos hiqen fare as tërësisht as gradualisht.

    Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë brenda BE-së, ato mund të mos hiqen para zgjedhjeve në Kosovë që janë caktuar për 9 shkurt të vitit që vjen.

    Blloku evropian pati vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensioni

    Dy palët më pas janë pajtuar për marrjen e disa masave ndaj Kosovës, në këmbim të heqjes së masave.

    Autoritetet e Kosovës deklarojnë se i kanë plotësuar të gjitha kërkesat dhe masat e BE-së i konsiderojnë të padrejta.

    Nga Rubrika
    Lajme15 Dhjetor 2024
    Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se vonesat në marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në KiE janë peng i obligimeve...
    Lajme15 Dhjetor 2024
    Një i ri ka vdekur në aksidentin e sotëm në Volljakë të Klinës, ndërsa pasagjeri ka pësuar lëndime trupore. Sipas policisë, aksidenti...
    Lajme15 Dhjetor 2024
    Pasditen e së dielës, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin armën e zjarrit në drejtim të një veture në fshatin Mramor të...
    Të tjera
    Vip15 Dhjetor 2024
    Identiteti gjinor përtej binaritetit tradicional, ka qenë sot temë diskutimi mbi disa prej banorëve mbase më të përfolur kohës së fundit. Qe...
    Bota/Rajoni15 Dhjetor 2024
    Të paktën katër persona janë lënduar pasi një tornado goditi veriun e Kalifornisë, sipas autoriteteve lokale. Si pasojë, policia ka bërë të...
    Kronika15 Dhjetor 2024
    Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Klinë, ku si pasojë e një aksidenti të rëndë, një person ka humbur jetën dhe një...
    Bota/Rajoni15 Dhjetor 2024
    Është përfshirë nga zjarri një banesë në Sarandë, saktësisht në rrugën e pestë në këtë qytet. Bëhet e ditur se zjarrfikësit kanë...
    Lajme15 Dhjetor 2024
    Mungesa e fuqisë punëtore, ngritja e çmimit të materialit ndërtimor, poashtu ngritja e çmimit të tokave me koncesion janë arsyet që, sipas...
    Bota/Rajoni15 Dhjetor 2024
    Tërmeti me magniturdë 6.1 ballë është regjistruar sot në perëndim të Neiafu – Tonga, në Oqeanin Paqësor, njoftoi Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare. Thellësia...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.