Autoritetet në kryeqytetin rus do t’i angazhojnë studentët për të dhënë mësim në shkolla në vend të mësuesve të moshuar dhe të ndjeshëm pas rekordit të rasteve të koronavirusit në Rusi.
Sergei Sobyanin, kryetar i Moskës, njoftoi të mërkurën se shkollat e mesme do të jenë të mbyllura javën e ardhshme pas zgjatjes së pushimit vjeshtor. Kështu, rreth 500.000 nxënës do të mësojnë nga distanca.
Megjithatë, shkollat fillore do të rihapen, ndërsa në to do të japin mësim të sapodiplomuarit dhe studentët, të cilët do të jenë të mbikëqyrur nga distanca nga stafi me përvojë. Sipas Sobyaninit, kjo metodë do t’i mbrojë mësuesit e moshuar dhe ata që vuajnë nga sëmundjet kronike, shkruan The Guardian.
Ky vendim erdhi pas vendimit të autoriteteve shëndetësore që të angazhojnë studentë të mjekësisë nëpër spitale për të ofruar ndihmë në luftën kundër sëmundjes Covid-19.
Sobyanin tha se vendimi nuk ishte i lehtë, por i nevojshëm pasi Moska po vazhdon të regjistrojë nga 5.000 raste të reja me Covid-19 në ditë. Ai tha se është vendosur që shkollat fillore të mos mbyllen për shkak se nxënësit më të rinj janë më pak të rrezikuar nga pandemia dhe se është më e vështirë për prindërit që punojnë që t’i lënë fëmijët vetë në shtëpi.
Me më shumë se 1.3 milion raste, Rusia është e katërta në botë me më së shumti persona të infektuar me virusin SARS-CoV-2, pas Shteteve të Bashkuara, Indisë dhe Brazilit.