Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK), ka bërë të ditur se vetëm në një pikë kufitare, kërkohet testi për Covid-19.
Bëhet fjalë për pikën kufitare të Kullës, që lidhë Kosovën me Malin e Zi.
QKMK në njoftimin e orës 08:00 të ditës së sotme, ka bërë të ditur se si qëndron fluksi nëpër pikat kufitare.
Në përgjithësi gjendja është e qetë dhe nuk ka fluks të madh në pikat kufitare të Kosovës, as në hyrje e as në dalje.
Ndërkaq ajo që bie në sy në njoftim është se tani vetëm në një pikë kufitare për dalje nga Kosova, po kërkohet testi i koronavirusit.
Maqedonia e Veriut dje ka hequr testet PCR për shtetasit e Kosovës dhe tani është vetëm Mali i Zi që po kërkon teste të tilla.
Sipas njoftimit në pikën kufitare në Kullë që e lidh Kosovën me shtetin fqinj të Malit të Zi, kërkohet testi për COVID-19. Kjo pasi që Mali i Zi ende nuk e ka hequr kushtin për kosovarët që shkojnë në këtë shtet, duhet të kenë një test të tillë negativ. Në bazë të ligjit, çështja e testeve me shtetet tjera shkon në reciprocitet.