Mjekët popullorë, të cilët shpesh pretendojnë se kanë aftësi speciale për shërim, janë një fenomen i njohur në shumë shoqëri, përfshirë Kosovën. Këta individë shpesh nuk kanë arsimin apo përvojën e duhur mjekësore, por përdorin metoda tradicionale, bimore apo energji për të trajtuar sëmundje. Ata shpesh paraqiten si alternativa për njerëzit që kërkojnë ndihmë për probleme që mjekësia moderne mund të ketë vështirësi t’i trajtojë ose që ndihen të pasigurt për trajtimet e tjera. Pavarësisht se shumë nga këto praktika nuk kanë bazë shkencore dhe mund të jenë të dëmshme, mjekësia popullore vazhdon të tërheqë besimin e një pjese të shoqërisë, duke i bërë këta individë një zgjedhje të parë për ata që kërkojnë shërim.
Megjithatë, pavarësisht kësaj ndikimi, tre mjekë popullorë janë arrestuar në Kosovë, të akuzuar për mashtrim dhe ushtrim të kundërligjshëm të mjekësisë. Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, është një nga ata që është vënë përballë drejtësisë për pretendimet e tij se mund të shërojë sëmundje të ndryshme përmes energjisë. Ai ka përdorur një promovim masiv në media për të bindur njerëzit të besojnë në aftësitë e tij mbinatyrore, duke përfituar miliona euro nga trajtimet e pasakta që ka ofruar. Po ashtu, B.Z., një tjetër “mjek popullor” nga Malisheva, është akuzuar për mashtrim dhe ushtrim të paligjshëm të mjekësisë, duke manipuluar pacientët dhe duke shkaktuar dëme financiare.
Një tjetër rast është ai i Nazmi Mulakut, i njohur si “Nazmi Bio Mulaku”, i cili është arrestuar për ushtrimin e kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe mashtrim. Ai është akuzuar për shfrytëzimin e rrjeteve sociale për të shpërndarë video ku pretendon se ka aftësi shëruese dhe ofron shërbime pa asnjë licencë.
Pavarësisht se këta mjekë popullorë janë arrestuar dhe përballen me akuza të rënda, besimi në “mjekësinë popullore” ende mbetet i fortë për shumë njerëz në Kosovë.
“Mjeku popullor”: Ka interesim të madh për mjekësinë popullore, këtë punë e bëjmë që njëqind vite
Besimi në mjekësinë popullore vazhdon të mbetet i fortë për shumë qytetarë në Kosovë. Kjo është e dukshme edhe në deklaratën e mjekut popullor Mentor Dreshaj, i cili flet për profesionin e tij dhe kërkesën e madhe për shërbimet që ofron.
Sipas tij, ka një interes të jashtëzakonshëm nga qytetarët për mjekësinë popullore. Dreshaj shpjegon se për të, është e zakonshme të marrë ankesa nga njerëz që vijnë me probleme të ndryshme fizike, si dhimbje në duar, këmbë, krahë dhe shqetësime të tjera muskulore. Ai thekson se shumë prej këtyre individëve kërkojnë trajtime natyrale për të rikthyer funksionin dhe normalitetin e trupit të tyre.
‘’Ka ankesa të shumta të njerëzve që vijnë, ka problem me duar, këmbë, krahë e gjëra të tilla. Ka interesim shumë të madh në mjekësinë popullore vijnë shumë njerëz të cilat kanë probleme të ndryshme ke këmbë, gishta duar e ne përdorim metoda totalisht natyrale për t’u kthyer këmbën apo diçka tjetër në normalitet ‘’, tha Dreshaj për FrontOnline.
Në këtë profesion, Dreshaj është i katërti në familje që e ka trashëguar këtë art, i cili ka mbi 100 vjet histori. Ai shpjegon se shumë pacientë vijnë nga e gjithë Kosova dhe madje edhe nga shtetet e tjera, si Gjermania dhe vendet e tjera evropiane, për të kërkuar ndihmën e tij.
‘’Ne në këtë biznes jemi mbi 100 vite, përdorim totalisht metoda natyrale mirëpo normalisht edhe rripa ortopedikë e gjëra të tilla për lidhjen e këmbëve apo duarve.
Unë e kam trashëguar këtë biznes jam I 4-ti me radhë nga brezat që punoj në këtë biznes, ka interesim shumë njerëz vijnë dhe shumë kanë sukses vijnë edhe nga shtetet e jashtme Gjermania e vendet e tjera’’, përfundoi Dreshaj.
Psikologu Kastrati: Besimi ne mjekësinë popullore lidhet shumë me traditat dhe kulturën e një komuniteti
Psikologu Rron Kastrati është deklaruar gjithashtu mbi ndikimin që kanë besimet popullore dhe praktikat magjike në psikologjinë e individëve, duke nxjerrë në pah lidhjen e ngushtë të këtyre besimeve me kulturën, historinë dhe psikologjinë e komunitetit. Sipas tij, këto besime shpesh janë të formuara nga një kombinim faktorësh psikologjikë, kulturorë dhe historikë, dhe ato kanë një ndikim të fuqishëm në perceptimin e individëve për botën që i rrethon.
‘’Do ta konsideroja këtë të rëndësishme në qoftë se hedhim vështrimin ne besimin e njerëzve tk praktikat besëtytnorë popullore dhe magjistareske të cilat burojnë nga një kombinim faktorësh psikologjikë,kultutorë dhe historik dhe me patjetër rol impaktues’’, tha Kastrati
Një element i rëndësishëm që psikologu Kastrati thekson është ndikimi i trashëgimisë kulturore dhe historike në mbajtjen e këtyre besimeve. Praktikat magjike dhe besimet popullore shpesh janë pjesë e një identiteti kolektiv që kalon nga brezi në brez dhe formojnë një pjesë të pandashme të kulturës dhe traditave të një komuniteti. Kjo është arsyeja pse, sipas tij, ato kanë një ndikim të thellë në mënyrën se si njerëzit perceptojnë dhe përjetojnë realitetin, duke i bërë ata më të prirur të besojnë dhe të veprojnë sipas këtyre besimeve, edhe kur ato janë të pavërtetuara shkencërisht.
Kastrati gjithashtu vë në dukje se individët shpesh bien pre e ndikimeve psikologjike që burojnë nga këto besime dhe praktika. Kjo ndodh për shkak të ndjeshmërisë që kanë njerëzit ndaj fenomeneve të pashpjegueshme, siç janë ngjarjet që nuk mund të kuptohen ose shpjegohen me një mendim racional. Në shumë raste, njerëzit janë të prirur të besojnë se këto fenomene vijnë nga një “dimensio” tjetër, nga shpirtrat, fantazmat, ose edhe nga teori konspirative, si ato që përfshijnë ide për ekzistencën e jashtëtokësorëve. Këto besime, edhe pse të pavërtetuara dhe të pa verifikueshme shkencërisht, mund të kenë një efekt të fuqishëm dhe të dëmshëm mbi psikologjinë e individëve, duke i çuar ata në një cikël besimesh deluzive dhe të deformuara.
‘’Ne jemi të prirur të biem pre e ndikimit sugjestibil të këtyre praktikave dhe sigurisht që u nënshtrohemi lehtas duke besuar dhe duke u frikësuar njëkohësisht nga e panjohura dhe këto janë momentet e pasigurisë kur njerëzit shpesh herë kërkojnë medoemos shpjegime për fenomenet që nuk I kuptojnë , zakonisht fenomene që nuk pranohen nga shqisat tona ose nga dukuritë, ashtu themi para normale të cilat ne I mendojmë po I besojmë që vijnë nga një dimension paralel ose nga shpirtrat, fantazmat , njerëzit e vdekur ose edhe tek mendimet tashmë konspirative alienët megjithëse këto janë të paverifikueshme dhe jo shkencore’’, tha Kastrati për FrontOnline.
Në lidhje me mjekësinë popullore, Kastrati argumenton se edhe pse ajo ka elemente të dobishme në disa raste, nuk ka një mbështetje shkencore të vërtetuar. Ai thekson se mjekësia popullore mund të ofrojë shpresë për disa individë, duke iu përshtatur besimeve të tyre dhe duke i ofruar një mundësi për t’u ndjerë më të qetë dhe më të sigurte.
‘’ Mjekësia popullore sigurisht që nuk ka evidencë shkencor megjithëse në disa raste u ndihmon njerëzve duke iu përshtatur besimit të tyre sepse lehtësisht hipnotizohen dhe këto lloj praktikash për disa njerëz ofrojnë shpresë e janë ngushëllim ku në çdo moment kur nuk gjejnë rrugëdalje gjejnë rrugëdaljen aty por jo zgjidhjen ‘’, tha Kastrati.
Sociologu Shala: “Mjekësia popullore” është fenomen kulturor dhe social
Sociologu Adem Shala ka komentuar mbi rëndësinë dhe ndikimin e “mjekësisë popullore” në shoqëritë moderne, duke e parë atë jo vetëm si një praktikë shëndetësore, por si një fenomen kulturor dhe social që ka ndikim të fuqishëm në identitetin dhe strukturën e komunitetit.
Shala thotë për FrontOnline se mjekësia popullore është e thellë e rrënjosur në shumë shoqëri dhe është një pjesë e pandashme e kulturës dhe traditave të këtyre komuniteteve. Këto praktika kalojnë brez pas brezi dhe shpesh mbartin një simbolikë të fuqishme përkatësie dhe identiteti.
‘’ Në shumë shoqëri, mjekësia popullore është thellësisht e rrënjosur në kulturë dhe traditë. Këto praktika shpesh transmetohen brez pas brezi dhe mbartin një simbolikë të përkatësisë’’, tha Shala për FrontOnline.
Në nivelin psikologjik, Shala thekson se besimi në mjekësinë popullore mund të krijojë një ndjenjë sigurie dhe optimizmi tek individët, e cila ka ndikim të dukshëm në perceptimin dhe përvojën e shëndetit. Disa individë, veçanërisht ata që kanë frikë nga efektet anësore të ilaçeve moderne, ndihen më të sigurt dhe të relaksuar duke përdorur metoda natyrale që përfshijnë përdorimin e bimëve dhe praktikave tradicionale
‘’ Sa i përket aspektit psikologjik, besimi tek mjekësia popullore mund të krijojë një ndjenjë sigurie dhe optimizmi, e cila shpesh ndikon pozitivisht në perceptimin e shëndetit. Disa individë kanë frikë nga efektet anësore të ilaçeve moderne dhe ndihen më të sigurt me metoda “natyrale.” Praktikat popullore ofrojnë një ndjenjë autonomie dhe lidhjeje me procesin e shërimit, duke u përqendruar tek individi’’, tha Shala.
Në përfundim, sociologu Adem Shala argumenton se kombinimi i faktorëve kulturorë, psikologjikë dhe socialë është ajo që ndihmon në ruajtjen e popullaritetit të mjekësisë popullore.
‘’Në përgjithësi, kombinimi i faktorëve kulturorë, psikologjikë dhe socialë ndikon në ruajtjen e popullaritetit të mjekësisë popullore’’, përfundoi Shala.