Hetuesit policorë në kuadër të Stacionit Policor në Mitrovicë, në vazhdën e hetimeve për zbardhjen e veprave penale, kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë një person të dyshuar për përfshirje në shtatë (7) raste të ndryshme të veprave panele ‘vjedhjeve të rënda’, raste këto të raportuara në dy muajt e fundit, ku cak i këtyre vjedhjeve ishin pjesë të veturave
(katalizatorë).
Mbi dyshimet e ngritura dhe provat e siguruara, hetuesit policorë me datën 5 nëntor 2020, në Mitrovicë, kanë arrestuar të dyshuarin F. B., 18 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, pasi i njëjti dyshohet që në lokacione të ndryshme në Mitrovicë ka kryer veprat penale.
Në cilësi të provave materiale tek i dyshuari janë gjetur dhe janë sekuestruar disa nga katalizatorët e vjedhur.
Pas procedurave intervistuese, nga ana e prokurorit të rastit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.