Shefi i Grupit Parlamentar 6 plus, Rasim Demiri i tha Gazetës Express se mbesin prapa fjalimit të deputetit Fikrim Damka lidhur me kërkesën për shkarkimin e menjëhershëm të ambasadorit të Kosovës në Francë Qëndrim Gashi nga ana e qeverisë së Avdullah Hotit.
Deputeti i Grupit Parlamentar 6 plus, Fikrim Damka sot në Kuvendin e Kosovës në emër të grupit të tij parlamentar ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të shkarkojnë urgjentisht nga detyra ambasadorin Qëndrim Gashi në të kundërtën nuk do të votojnë asnjë ligj në Kuvend.
Grupi Parlamentar 6 plus që përfaqëson minoritetet jo serbe në Kosovë aktualisht janë pjesë e qeverisë por që tash e tutje kanë vënë kusht që për votimin e ligjeve në Kuvend, qeveria e Avdullah Hotit duhet ta shkarkojë ambasadorin e Kosovës në Francë, Qëndrim Gashin.
Prapa fjalimit të deputetit Fikrim Damka qëndrojnë të gjithë deputetët e këtij grupi parlamentar.
Shefi i 6 plusit, Rasim Demiri në një bisedë për Gazetën Express tha se mbesin prapa fjalëve të deputetit Damka dhe qëndrimi është i përbashkët i të gjithë deputetëve.
“Dje kemi pasur një takim brenda grupit 6 plus, dhe qëndrimi i të gjashtë deputetëvë është i njëjti. Fjalimi i deputetit Fikrim Damka ka qenë fjalim i 6 plusit, ai vetëm e ka lexuar. Ne mbesim mbrapa fjalëve të deputetit Fikrim Damka sot në Kuvendin e Kosovës.Në takimin e djeshëm të Grupit Parlamentar ka qenë qëndrim i përbashkët i të gjithëve deputetëve”, tha Demiri.
Ai tha poashtu se deputetja Duda Balje ka mbështetur kërkesën e GP 6 plus.
“Deputetja Duda Balje nuk ka qenë dje në takim por sot ajo ka mbështetur qëndrimin tonë”, tha ai.
Deputeti Damka në fjalimin e tij, ai ka kërkuar që urgjentisht të shkarkohet ambasadori Gashi.
Nëse nuk ndodh një gjë e tillë, Damka ka thënë se ai dhe grupi parlamentar 6 plus nuk do të votojnë asnjë nga ligjet që do të shkojë për votim në seancat e ardhshme.
“Përderisa nuk tërhiqet nga pozita e ambasadorit, si 6 deputetë të Kuvendit dëshirojmë t’u informojmë se nuk do të votojmë asnjë ligj në seancat e ardhshme, jashtë ligjeve të COVID-19 dhe projektligjeve për rimëkëmbje ekonomike”, ka thënë Damka.
“Një çështje tjetër shumë e rëndësishme për të cilën duhet të flas sot është shqetësuese dhe e lidhur ngushtë me të gjithë ne. Kohëve fundit, kemi hasur në disa deklarata nga zyrtarë të lartë shtetërorë në Evropë që kanë fyer dhe shpifur në mënyrë të qartë Islamin duke synuar eliminimin e vlerave të tolerancës dhe respektit ndërfetar. Në të ardhmen këto retorika mund të na shkaktojnë pasoja të padëshiruara dhe mund të na fusin në një rrugë të pakthyeshme”, ka shtuar ai./Express/