Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemajt, i është kujtuar tash që të kërkojë që të shtohet numri i studentëve në Fakultetin e Mjekësisë.
Një muaj e gjysmë me vonesë, Zemaj tha se këtë kërkesë ia ka drejtuar ministrit të Arsimit, Ramë Likaj.
“Për arsye se kemi më së paku mjek për numrin e popullsisë, duke qenë të tejngarkuar mjekët me shërbime brenda orarit të punës, me qëllim të ngritjes së cilësisë dhe sasisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët, për shkak të mungesave të krijuara nga kuadri që po largohet nga sistemi dhe arsyet tjera, kam kërkuar shtimin e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë. Këtë kërkesë emergjente ia kam adresuar Ministrit të Arsimit, z. Likaj, tek kryetari i këshillit drejtues të Universitetit të Prishtinës, z. Bajra, tek rektori i Universitetit të Prishtinës, z. Sahiti dhe tek znj. Manxhuka Kërliu, dekane e Fakultetit të Mjekësisë, për rritje të numrit të studentëve më Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2020/2021”, ka shkruar Zemaj.
Sipas tij, rritja e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë do ta mundësonte qëndrimin e profesionistëve shëndetësorë në Kosovë.