Qytetarët e Republikës së Kosovës mund të pajisen me targa të veturave pasi dje ka arritur kontingjenti i tyre. Nga sot edhe ka filluar aplikimi për ndërrimin e targave nga ato Provuese në targa të rregullta RKS.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë konfirmuar se janë furnizuar me targa të mjaftueshme për të gjithë qytetarët.
Në një përgjigje të MPB-së për lajmi.net thuhet se, furnizimi me targa të automjeteve është bërë me datë 10.03.2021 ndërsa shpërndarja është bërë me datën 11.03.2021, në të gjitha QRA-të.
“Sot ka filluar aplikimi për ndërrimin e targave nga ato Provuese në targa të rregullta RKS. Targat provuese që janë dhënë në mungesë të targave të rregullta me vendimin e Ministrit të MPB-së Nr. 923/2020 të datës 16.11.2020, janë të vlefshme deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër dhe nga muaji Nëntor janë pajisur 15.000 qytetar të cilët pritet që ditët në vijim ti ndërrojnë këto targa me targat RKS”, bëri të ditur MPB-ja për lajmi.net.
MPB-ja ka treguar se cili ka qenë shakatari i vonesave. “Mungesa e targave ka qenë për shkak të mungesës së një kontrate për furnizim me targa të automjeteve”.
Kjo ministri ka treguar se, pagesat për targat provuese janë bërë sipas çmimit për targa të rregullta dhe me rastin e ndërrimit të targave nga provuese në targa të rregullta RKS pagesa konsiderohet pagesë e kryer.
MPB-ja ka lëshuar edhe një apel për qytetarët “Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të respektojnë masat anti Covid gjatë këtij procesi në mënyrë që të ruajmë shëndetin publik”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.