Edhe Ministria e Sportit ka reaguar ndaj trajnerit Valmir Fetiu, i cili shfaqi dhunë ndaj vajzës së tij garuese në Evropianin për fëmijë që u mbajt në Tiranë.
Trajneri nga Suhareka shihet duke i rënë shpullë vajzës së tij dhe duke e kapur dhunshëm pasi ajo u mposht nga një moshatare serbe.
MKRS-ja e dënoi incidentin e trajnerit të taekwondos, përmes zëvendës ministres Daulina Osmani, e cila tha se veprimi i tij është i papranueshëm dhe se s’ka të bëjë asgjë me sportin.
“Përderisa Federata Evropiane e Taekwondos ka ndërmarrë masa ndaj trajnerit, Këshilli Kundër Dukurive Negative në Sport ka proceduar rastin në prokurorinë kompetente dhe i ka kërkuar Federatës së Taekwondos të Kosovës të veprojë menjëherë për të shqyrtuar veprimtarinë e trajnerit në sistemin sportiv. I bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të reagojnë dhe të ndërmarrin masa të shpejta për të adresuar rastin në fjalë dhe për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen. Dhuna nuk ka vend në asnjë sport, veçanërisht ndaj fëmijëve që janë ende duke u zhvilluar dhe kanë nevojë për mbështetje, jo për frikësim. Është detyra jonë të krijojmë ambient të sigurt, ku fëmijët ndihen të lirë dhe të frymëzuar për të ndjekur ëndrrat e tyre sportive. Dhuna nuk ka vend në këtë mision”, shkroi Osmani.
Për këtë veprim të vrazhdë, Valmir Fetiu u suspendua nga të gjitha garat vendore dhe ndërkombëtare sot nga Federata Evropiane e këtij sporti luftarak.