Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës përshëndet arritjen e marrëveshjes për zhbllokimin e punimeve të rrugës Deçan-Plavë, ndërtimi i së cilës ka rëndësi të madhe për banorët e kësaj ane, zhvillimin e bashkëpunimin ekonomik midis këtyre dy komunave fqinje.
“Marrëveshja e arritur falë lidershipit dhe punës maratonike të kryetarit të Deçanit në kërkim të zgjidhjes së ndërtimit të rrugës Deçan – Plavë, z.Bashkim Ramosaj, dhe ndërmjetësimit aktiv të Ambasadorit italian në Republikën e Kosovës, z.Nicola Orlando, është me interes nacional, pasi ndërtimi i kësaj rruge zhvillon turizmin në Grykën e Deçanit dhe lidhë Kosovën me Malin e Zi”, thuhet ndër të tjera në reagimin e MPJ-së.
Sipas kësaj ministrie rruga Deçan-Plavë, e cila lidhë rajonin e Dukagjinit me atë të Plavës dhe Gucisë, ka rëndësi strategjike për të gjithë shqiptarët, lehtëson lëvizjen e lirë të njerëzve dhe transportit të mallrave, e po ashtu, dhe do të jetë atraktive për zhvillimin e turizmit.