Ministria e Ekonomisë (ME) njofton se planifikon të zhvillojë tenderët e parë në Kosovë për energji prej erës, për një kapacitet total prej rreth 150 MW, së bashku me Këshilltarin e Transaksion të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (International Finance Corporation – IFC) si këshilltar kryesor i transaksionit, si dhe me përkrahje nga Aktiviteti për Energji të Qëndrueshme i USAID-it (ESA).
Bëhet e ditur se këto projekte do të zbatohen përmes dy tenderëve të njëpasnjëshëm me kapacitet prej rreth 75 – 100 MW secili, në lokacione të papërcaktuara. Secili tender do të përbëhet nga dy faza – Kërkesa për Kualifikime (KPK) dhe Kërkesa për Propozime (KPP).
“Me qëllim të informimit të ofertuesve potencialë me informacionin përkatës për kërkesat e parashikuara në mënyrë që ata të mund të ndërmarrin hapat e duhur për të përgatitur aplikacionin e tyre për tenderin e planifikuar, Ministria e Ekonomisë e Republikës së Kosovës ka publikuar një Përmbledhje informative. Ky dokument paraqet kriteret e parashikuara të cilat do të përcaktohen në fazën e Kërkesës për Kualifikime (KPK) të tenderit, duke përfshirë kërkesat që kanë të bëjnë me fizibilitetin e projektit si dhe kërkesat që kanë të bëjnë me përvojën dhe kapacitetet e ofertuesit”, thuhet në njoftimin e ME-së.
Sipas kësaj ministrie, kërkesat e renditura në përmbledhje nuk janë përfundimtare dhe mund të rishikohen si dhe të shtohen kritere shtesë në momentin e lansimit zyrtar të tenderit(ëve) kur të publikohet dokumentacioni përfundimtar i tenderit.
Kërkesa për Kualifikime për tenderin e parë parashikohet të publikohet në tetor të vitit 2024 dhe ofertuesit e parakualifikuar do të ftohen të dorëzojnë propozimet në fillim të vitit 2025. Ndërsa Kërkesa për Kualifikime për tenderin e dytë pritet të publikohet në vitin 2025.
“Ministria e Ekonomisë e Kosovës planifikon të shfrytëzojë fondet nga Instrumenti për Aftësi Rimëkëmbëse dhe Qëndrueshmëri i Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) për të ndihmuar në zhvillimin e këtij kapaciteti për energji të erës prej 150 MW. ME planifikon të bashkëinvestojë në projektet e energjisë së erës sipas skemës së Partneritetit Publiko-Privat (PPP), me qëllim të uljes së rrezikut për investitorët privatë. Projekteve të suksesshme do t’u jepet një Marrëveshje afatgjatë për Blerjen e Energjisë Elektrike (MBE) e barazuar fizikisht”, njofton kjo ministri.