Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, ka thënë se zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë ndryshe veçse njohje reciproke, meqë, siç tha ajo, shumica dërrmuese e vendeve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara e shohin këtë opsion si zgjidhje.
Kur ajo u pyet në një konferencë virtuale për raportin e ardhshëm të PE-së nëse ajo lobon për Kosovën, Cramon u përgjigj: “Sigurisht”, njofton Klan Kosova.
Kundër kësaj deklarate ka dalë ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviq, duke thënë se Viola von Cramon e pranoi hapur se lobon për pavarësinë e Kosovës.
“Pa asnjë pikë turpi, ajo zyrtarisht e vuri në dyshim kredibilitetin e saj për të qenë ndërmjetësuese objektive e proceseve politike dhe shoqërore në provincën tonë jugore”, tha Selakoviq.