Ministri i Bujqësisë Faton Peci ka deklaruar se transformimet që kanë sjellë në Ministrinë e Bujqësisë, sipas tij, janë dëshmi e përkushtimit për qeverisje të mirë dhe transparencë. Kjo, tha ai, ka rezultuar në një rritje prej 184% të mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët sipas tij, kanë njohur përpjekjet për zhvillim të qëndrueshëm.
“Deri në përfundim të mandatit tonë, mbështetja financiare për fermerët në Kosovë pritet të arrijë vlerën e 300 milionë eurove”, tha ministri në sesionin e parë informues të Skemës së Granteve 2024-2027 që do të mbështeten nga MBPZhR-ja në bashkëpunim me GIZ-in, sesion ky që u mbajt në Komunën e Mitrovicës.
Përmes kësaj skeme, ministri Peci tha se do të mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor në zonat rurale nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve.
Krahas kësaj, ministri Peci theksoi se synimi i këtij projekti është fuqizimi i agroturizmit dhe ekoturizmit, duke sjellë përfitime për fermerët, sipërmarrësit dhe komunitetet rurale.
Gjatë sesionit të parë informues të Skemës së Granteve 2024-2027 iu është bërë thirrje të gjithë fermerëve dhe agro-ndërmarrësve që të përfitojnë nga kjo mundësi dhe të marrin pjesë në sesionet informuese që do të organizohen në çdo komunë të Kosovës.