Masat e reja në Zvicër të cilat priten të shpallen të mërkurën për të parandaluar përhapjen e COVID-19, me shumë gjasë do të mbesin në fuqi “për shumë kohë”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Alain Berset, derisa u shënuan 17,440 të infektuar gjatë vikendit.
Numri i rasteve të reja me koronavirus është dyfishuar nga java e kaluar, me një total prej 121,093 teksa Zvicra po përfshihet në valën e dytë të koronavirusit.
26 kantonet e Zvicrës po fusin në fuqi masa rajonale, përfshirë kufizime në lëvizje dhe kohën e mbylljes së lokaleve, raporton Reuters.
“Ajo çfarë po përgatisim tani, me shumë gjasë do të zgjasë për kohë më të gjatë”, tha Berset. “Nuk po marrim vendime të mërkurën për të premten, po marrim vendime për javët dhe muajt e ardhshëm”, shtoi ai.