Pak minuta më parë, ministri i Arsimit Ramë Likaj, ka njoftuar se është prekur edhe ai nga virusi korona.
Ai ka thënë se virusi është realitet dhe kërkon vetëdije të lartë qytetarë duke kërkuar kështu për kujdes nga ana e qytetarëve ndaj këtij virusi.
Njoftimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë,
Ju njoftoj se kam dalë pozitiv me COVID-19.
Fatmirësisht po ndihem mirë dhe po përpiqem që të punoj nga shtëpia ku po qëndroj në vetëizolim.
Tejkalimin e kësaj sfide po ma lehtëson kujdesi i familjes dhe interesimi i miqve dhe dashamirëve të cilët i falënderoj. Shpreh mirënjohje për punonjësit shëndetësorë të cilët edhe pse të stërngarkuar me punë, duke u ballafaquar me rrezikun ndaj shëndetit, po punojnë me zell dhe përgjegjësi për qytetarët e Kosovës.
Virusi është realitet dhe kërkon vetëdije të lartë qytetare, prandaj, ju lutem kujdesuni për shëndetin tuaj, të afërmve tuaj dhe të gjithë njerëzve.
Vetëm të bashkuar në respektim të masave për mbrojtje nga COVID-19 ja dalim ta fitojmë luftën me virusin, ndihmojmë punonjësit shëndetësorë dhe i kontribuojmë shtetit tonë!