Raportimi i ministrit të Infrastrukturës Arban Abrashi në Komisionin për Bujqësi, rreth marrëveshjeve të Uashingtonit është përcjellë me përplasje verbale të shumta.
Abrashi teksa ka prezantuar projektet e diskutuara në Uashingtonin tha se janë projekte që e fuqizojnë Kosovën në shumë aspekte dhe e bëjnë një vend më atraktiv për investime.
“Dy projektet e para të cilat janë dorëzuar që kanë qenë vazhdimësi e asaj letre ka qenë ndërtimi i autostradës tani të mbetur Trudë, Besi deri në Merdare, që ka një gjatësi prej 27 km dhe është projekt, i cili është i gatshëm për implementim sepse ka edhe studim të fizibilitetit, ka edhe studim të ndikimit mjedisor dha pak a shumë dihet edhe kostoja e këtij projekti. Projekti i dytë të cilin e kemi diskutuar edhe ka ekzistuar një pajtueshmëri dhe një konsultim me palën amerikane dhe në dakordim me ta, mandej edhe është paraqitur ka të bëjë me ndërtimin e hekurudhës nga Prishtina, Fushë Kosova deri në Merdare, që nënkupton rehabilitimin e kësaj linje dhe ka një gjatësi prej 45 km, ekzistojnë studime të fizibilitetit të mëhershme, por nuk janë shumë të sakta, sepse ka ndryshuar terreni shumë dhe për këtë projekt duhet edhe më shumë angazhim duke e përfshi edhe vetë studimin e fizibilitetin”, tha ai.
Abrashi ka folur edhe për projektin e autostradës dhe hekurudhës, për të cilat tha se rehabilitimi i linjës hekurudhore nga jugu në veri është duke u bërë nga projekte të financuara nga BE, ndërsa tani rehabilitimi i linjës nga perëndimi në lindje nga pala amerikane.
“Për projektin e autostradës edhe posaçërisht hekurudhës ka të bëje se tani shteti i Kosovës përmes projekteve të financuara pjesën më të madhe nga Bashkimi Evropian është duke finalizuar ose duke e rehabilituar linjën hekurudhore nga jugu në veri, që përfshin nga Shkupi deri në Leshak, derisa pala amerikane në këtë rast ka marrë përsipër ndërtimin e linjës hekurudhore ose financimin e rehabilitimit të linjës hekurudhore nga perëndimi në lindje. Këto dy projektet e para kanë qenë, të cilat kanë qenë në kuadër të letrës së qëllimit të mirë edhe janë shty përpara, por kjo periudha të cilën e përmenda nga qershori deri në shtator kur kemi shkuar prapë ne mënyrë që linja lindje perëndim ose perëndim lindje të jetë sa më e qëndrueshme edhe sa më kuptimplotë atëherë ne kemi zhvilluar idenë si kabinet për një linjë të re, e cila përshkon Prishtinën, Shqipërinë deri në detin Adriatik. Do të thotë ideja themelore në qoftë se ne kishim me kërkua financim për ndërtimin e linjës nga Prishtina deri, tash po përmendet Nishi shumë, po realisht është korridori ndërkombëtar trans-evropian 7 hekurudhor, ne kemi kërkuar në mënyrë që kjo linjë të ketë më shumë qëndrueshmëri edhe financiare atëherë duhet me i eksplorua idetë që kjo linjë të shkojë deri në detin Adriatik, nuk e kemi specifikua ku saktë”, tha ai.
Abrashi tha se në kuadër të lidhjes së Prishtinës me detin Adriatik kanë paraqitur idenë e ndërtimit të një porti me thellësi të madhe, që sipas tij do të ishte në gjendje t’i trajtojë anijet me tonazh më të madh.
Ai ka përmendur edhe projekte të tjera që janë diskutuar si mundësi, por që nuk kanë marrë zotime, siç është ndërtimi i autostradës nga Gjilani deri në Dheun e Bardhë, projekti i Brezovicës.
Kryetari i Komisionit Liburn Aliu, ka kërkuar nga ministri të di se çka do të ndodhë me linjën hekurudhore Hani i Elezit-Leshak, ku ka kërkuar të di se a do të vazhdohet kjo hekurudhë përtej Mitrovicës.
“Çka do të ndodhë me këtë projekt, a do t’i bëjmë ne dy projektet, kur pritet me përfundua dhe pyetja është kjo konkrete, a do të vazhdojë ky projekt përtej Mitrovicës deri në Leshak. Pyetja ime ka të bëjë edhe me deklaratën e Vuçiqit pas kthimit nga Uashingtoni, i cili thotë që kemi bërë një arritje të madhe që idenë e Kosovës për të ndërtuar hekurudhën dhe stacionet për ta vënë nën kontroll stacionet e pjesës veriore e kemi shmangur dhe tash do të ndërtohet hekurudha që lidh Nishin përmes Merdares. A do të vazhdohet kjo hekurudhë përtej Mitrovicës”, tha ai.
Në përgjigjen e tij, Abrashi tha se lindja hekurudhore nga Hani i Elezit deri në Leshak do të vazhdohet, derisa përmendi se nuk është i kënaqur me tempon e punimeve që janë duke u bërë në rehabilitim.
“Projekti i ndërtimit apo rehabilitimit të hekurudhës nga Hani i Elezit deri në Leshak është projekt i cili po vazhdon, është projekt i cili është duke u punuar, përkundër që unë si ministër nuk jam i kënaqur me tempon e punimeve të cilat po kryhen. Për momentin është e kontraktuar pjesa e parë ose faza e parë nga Hani i Elezit deri në Fushë Kosovë në të cilin është duke u punuar…Faza e dytë është në proces final të përzgjedhjes së kompanisë dhe fillon shumë shpejt, besoj para vitit të ri edhe faza e dytë që nënkupton rehabilitimin e linjës prej Fushë Kosovës deri në Mitrovicë. Faza e tretë është në punimin e studimit të fizibilitetit… Veri jug është nisur, nuk ndalet. Çka fol Vuçiqi ai ka zgjedhje, e ka elektoratin e vet, unë nuk merrna me të”, tha ai.
Përplasje mes deputetit Aliu e ministrit Abrashi pati sa i përket projektit hekurudhor Besi-Merdare. Deputeti Aliu tha se këtë linjë nuk e ka as në planin zhvillimor e as në planet hapësinore.
”Unë nuk fiksohem, për këtë punë janë planet, studimet, prandaj po ju them referencën e planeve. Ne kemi pasur plan për t’u lidhur me korridorin me Shqipërinë. Pse e devijove atë plan, pse nuk po e realizon atë? E ki linjën në të cilën ti e ke pasur në projekt. Ti mund të thuash se është në plan, e kemi në tavolinë, por në cilin plan? Prandaj, po ju them referencën konkrete për këtë ndryshimin që po thua ti, për këtë variantin tjetër. Këtë linjën me lindje që po na lidh me Sofje po të ishim ne shtet i cili e mbanë doganën në Merdare jemi okej, kalojmë te pika tjetër. Kur t’i lidhim të dyja projektet, ne jemi duke parë edhe origjinën. A e keni kryetar të partisë Isa Mustafën, a ka qenë kryeministër? Krenaria e juaj në fushata kanë qenë planet strategjike zhvillimore dhe ato nuk janë paraparë që të investohen tash, absolutisht jo, e ke pasur linjën tjetër në të cilën janë pajtuar të gjithë”, tha ai.
Deputeti i PDK-së Bajrush Xhemajli, tha se me këto marrëveshje Serbia po realizon synimin që të fitojë daljen në det.
“Me hekurudhë e me të gjitha të mirat po del deri atje, po kjo nuk do të thotë automatikisht se edhe unë jam për atë që na bënë dëm, por unë mendoj që deri në njohje reciproke kjo na bënë perime dëm dhe qëndroj në atë që është shumë e dëmshme për shkak se Serbia nëse mund ta arrijë këtë krahas kësaj marrëveshjeje ekonomike, edhe asociacionin e komunave me kompetenca ekzekutive qysh po synon, nuk ka pse të na njohë”, tha ai.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Shpejtim Bulliqi, tha se çështja e portit për Kosovën është bërë “bozë”, ku tha se çdo qeveri që ka ardhur në pushtet ka thënë se po e marrin Shëngjinin. Ai duke iu drejtuar ministrit Abrashi tha se le ta pranojë që marrëveshja ka qenë e imponuar.
“Linja perëndim lindje, Prishtinë Adriatik, çështja e portit, thellimi i portit, ju e dini shumë mirë tash më çështja e këtij porti është bërë bozë që sa vite. Çdo qeveri që ka ardhur në pushtet, ka thënë po e marrim Shëngjinin, e kanë marrë, kanë shkuar e kanë hëngër një drekë në Shëngjin, janë kthyer me Pacollin e me rend. Po deri sot asnjë veprim nuk është bërë. Çdo takim që keni mbajtur me Edi Ramën deri tash, ua ka dhënë portin e Shëngjinit, por ju kurrë nuk e keni marrë dhe unë kam frikë se as tash nuk është synimi i atij portit, por linja në drejtim të Merdares dhe ndryshimi i trasesë. Prandaj është më mirë t’u tregohet njerëzve se na u ka imponuar, nuk është kurrgjë se ne po e shohim, me duar në xhepa keni shkuar jeni ardhur me disa letra dhe ju po i merrni ato që janë të gatshme”, tha ai.
Ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi, tha se të gjitha marrëveshjet janë diskutuar paraprakisht me zyrtarët amerikan dhe se atje nuk kanë shkuar të papërgatitur.
Arsye për përplasje mes ministrit Abrashi dhe kryetarit të komisionit Liburn Aliu, u bë edhe një hartë e prezantuar nga ky i fundit. Abrashi e ka akuzuar deputetin e VV-së se në diskutim e ka pasur hartën e hekurudhave të Serbisë.
“Mua po më vjen keq po disa prej komentuesve këtu kur diskutuam për ide e për plane zhvillimore hapësinore para vetes patën hartën e hekurudhave të Serbisë, Liburn e pate hartën dhe është keq me ma qitë mua ata përpara se ka harta të mjaftueshme të Infrakosit”, tha ai.
Por, i menjëhershëm ishte reagimi i deputetit Liburn Aliu, i cili tha se në hartë shkruan Republika e Kosovës.
“Qysh po shkruan këtu, Republika e Kosovës, Trankos dhe kjo është hartë e juaja o zoti ministër, kjo është harta juaj. Këtu shkruan Republika e Kosovës, këta e keni pasur para se me shkua, ja keni heq kur keni ardhur këndej. Republika e Serbisë Republika e Kosovës, harta juaj para se me shkua, kur jeni kthyer ja keni hequr këtë. Pra, është harta e juaj, këqyreni mirë, Republika e Serbisë dhe është kufiri i qartë ku shkruan Republika e Kosovës ia keni hequr ju atje”, tha ai.
Në këtë mbledhje të komisionit, ministri Abrashi ka folur edhe për mini-Shengenin, i cili tha se vite më parë është refuzuar për shkak se ka qenë i paqartë.
“S’e kemi bërë më herët pasi kemi pasur drojë për unionin doganor, kemi pasur drojë edhe pse disa liderë, nuk po them një ose dy, po disa kanë folur edhe në emër të Kosovës pa u pyetur hiç. Kanë dashur të tregohen më të mëdhenj se na ose baballarë të kombit edhe kemi thënë jo. Sot e kemi një zotim para Shtëpisë së Bardhë ku ne bëhemi pjesëmarrës fuqiplotë në një iniciativë të cilën vetë do ta ndërtojmë. Do të ulemi dhe të themi se çfarë dëshirojmë të bëjmë. A është unioni doganor? Jo, nuk e bëjnë se nuk na konvenon. Është një situatë e re, një ambient i ri politik dhe një garantues si SHBA”, tha ai.
Deputetët anëtarë të komisionit kanë ngritur edhe çështjen se ku do të ndërtohet porti meqë përmendet vetëm deti Adriatik dhe jo edhe vendi, për çka ministri Abrashi tha se një gjë e tillë i është lënë planit të fizibilitetit që ta përcaktojë.
“E lëmë këtë punë të hapur, fizibiliteti do të tregojë. Prandaj, në marrëveshje në zotim shkruan linja hekurudhore me port në detin Adriatik, nuk është Durrës, as Shëngjin, as kurrgjë, por është e specifikuar se fizibiliteti do të tregojë ku është më së miri që ai të ndërtohet”, tha ai.