Akademia Evropiane e Arteve të Luksemburgut ka vazhduar me organizimin e ekspozitës së radhës në Luxemburg, ku kanë marrë pjesë shumë piktorë nga Evropa. Në mesin e tyre ka qenë edhe piktori me prejardhje nga Kosova, Gëzim Behrami, i cili është pjesë e kësaj akademie.
Ministrja e Kulturës së Luxemburgut, Samantha Tanson ka marrë pjesë në këtë ekspozitë.
Ajo është impresionuar më punimet e piktorit me prejardhje nga Mitrovica, i cili jeton tash e tri dekada në Luksemburg.
Me punën e tij, Behrami tashmë është etabluar në skenën e artit në Luksemburg, Francë dhe Belgjikë, duke sjell piktura të veçanta për publikun atje.
Kësaj radhe, Behrami ka krijuar një korizë, ku vizitorët mund të bëhen pjesë e krijimit të një picture. Shumë të pranishëm kanë marrë pjesë në ngjyrosjev e vijave dhe formave unike të parapikturuara nga artisti kosovar.
Vizitorët kanë pas mundësi të zgjedhin disa ngjyra, përmes së cilave është bërë thirrje kundër luftës, kundër ndotjës së natyrës dhe kundër diskriminimit.
Edhe ministrja e Kulturës Samantha Tanson ka marrë pjesë në këtë sfidë, duke përdorur të gjitha ngjyrat për të krijuar një pikturë të përbashkët.
Secila kategori përfaqëson një ngjyrë. Kur përfundon kjo padyshim që do të jetë një pikturë shumë e vecantë, meqë në krijimin e saj kanë marrë pjesë qindra vizitorë të kësaj pikture.
Në këtë ngjarje, Behrami ka ekspozuar edhe shumë punime tjera, që karakterizohen me figura interesante.
“Unë gjithmonë jam frymëzuar nga rrëfimet e njerëzve, nga përjetimet e tyre, nga historia e individëve, nga narracioni që njerëzit e thjeshtë i krijojnë”, ka theksuar Behrami.
Në Luksemburgun e vogël tashmë është krijuar një grup i artistëve shqiptarë, të cilët janë shumë aktiv në ekspozitat që organizohen në këtë shtet dhe në shtete tjera Evropiane.