Sllobodan Miletiq nga Zveçani sot e ka pranuar fajësinë për dy vepra penale që i ngarkohen sipas aktakuzës dhe që kanë të bëjnë me ngjarjet në Zveçan të 29 majit të vitit të kaluar.
Sipas aktgjykimit, Miletiq është dënuar me dy vite burgim me kusht dhe 9,500 euro gjobë.
Miletiqit do t’i hiqet masa e paraburgimit pas pagesës së gjobës, theksoi gjyqtari.
Miletiq pranoi fajësinë për veprat penale të “rrezikimit të funksionarëve”, për të cilat u dënua me dy vjet burgim me kusht dhe “pjesëmarrje në tubim që kryen vepër penale – huliganizëm”, për të cilën dënimi me gjashtë muaj burg u zëvendësua me gjobë në shumën 9,500 euro.
Pasi që aktakuza u lexua edhe një herë me kërkesë të prokurorit, dhe i akuzuari tha se e kuptonte të njëjtën gjë dhe veprat që i ngarkoheshin, Gjykata e njohu marrëveshjen për pranimin e fajësisë dhe pas një pushimi prej tridhjetë minutash lexoi aktgjykimin.
Prokuroria dhe mbrojtja hoqën dorë nga e drejta e ankesës.
Miletiqi fillimisht akuzohej për katër vepra penale, por dy prej tyre u hoqën nga aktakuza – “veprim antikushtetues” dhe “rrezikimi i personit nën mbrojtje ndërkombëtare”.
Miletiq u arrestua më 10 maj të këtij viti në vendkalimin Jarinje. Më 12 maj, atij i është caktuar masa e paraburgimit, ku ka kaluar pesë muaj, shkruan Kosovonline, transmeton Klankosova.tv.
Miletiq ishte arrestuar si i dyshuar në trazirat me sulmet që u bënë vitin e kaluar ndaj ushtarëve të KFOR-it.