Ish-deputeti Milaim Zeka ka deklaruar në T7 se me përveç kreut të PDK’së Kadri Veselit, është konfirmuar edhe aktakuza ndaj Presidentit Hashim Thaçi.
Zeka ka deklaruar se luftëtarët e UÇK’së nuk kanë nevojë për poezitë e liderëve politikë, duke përmendur kështu një reagim të kreut të VV’së, Albin Kurti, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj deputetit të VV’së, Rexhep Selimi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqit.
“Mediat në Shqipëri kanë shkruar tashmë se edhe Thaçit i është konfirmuar aktakuza. Po e shoh reagimin qoftë të Kurtit, qoftë të liderëve tjerë, as Jakup Krasniqi e as Rexhep Selimi nuk kanë nevojë për poezi të tyre, s’kemi nevojë për folklorizëm, s’kemi nevojë me thënë u gëzua apo jo Beogradi”, ka deklaruar Zeka në T7.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar sot se kreut të saj, Kadri Veselit, i është konfirmuar aktakuza nga Dhomat e Specializuara dhe sot do të niset për Hagë.
Në një komunikatë për media, Kadri Veseli ka bërë të ditur se do të jep dorëheqje nga të gjitha funksionet e tij politike, derisa të përballet me Gjykatën Speciale.