Njohësi i çështjeve juridike, Ehat Mitaraj, ka thënë për Front Online se me aktgjykimin e sotëm të plotë të Gjykatës Kushtetuese, u ndalohet të gjithë atyre që janë të dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë, të kandidojnë për postin e deputetit. Me këtë vendim, sipas tij, preket edhe lideri i VV-së, Albin Kurti, të cilit Apeli ia ka vërtetuar dënimin me kusht në verën e vitit 2018. Pra, ende nuk kanë kaluar 3 vjet.
Miftaraj u shpreh se ky aktgjykim i jep rëndësi integritetit dhe figurës të atyre që bëhen deputet të Kuvendit.
“Në bazë të asaj që e pashë, aktgjykimi i jep rëndësi integritetit, figurës dhe nuk i lejohet i kufizohet e drejta”
Miftaraj ka qenë i prerë se në bazë të asaj që thuhet në aktvendim se kushdo që është dënuar në tre vjetët e fundit u ndalohet kandidimi për deputet të Kuvendit të Kosovës.
“Kush është dënuar në tre vjetët e fundit nuk ka të drejtë të kandidoj”, ka thënë Miftaraj për Front Online.
Ky aktgjykim i Kushtetueses, vjen si rezultat e kërkesës së VV-së për vlefshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, i cili mundësoi ngritjen e Qeverisë Hoti.
Kushtetuesja shpalli të pavlefshme votën e Arifit, kësisoj edhe rrëzoi Qeverinë Hoti dhe obligoi ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet.
Arifi ishte i dënuar me burgim efektiv prej 1 vjet e 3 muaj në kohën kur kandidoi dhe fitoi në zgjedhjet e 6 nëntorit 2019. Ai është dënuar për “mashtrim me subvencione”, por kjo nuk e kishte penguar të gjendej në listat zgjedhore.
Zgjedhjet duhet të mbahen më së largu 40 ditë nga dita kur ato i shpall Osmani.
/Fron Online