Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e RMV-së, Izet Mexhiti ka uruar Shqipërinë për hapjen e kapitullit të parë të negociatave me Bashkimin Europian dhe ka vlerësuar se ky duhet të jetë një motiv për Maqedoninë e Veriut që të vazhdojë përpjekjet politike dhe diplomatike për nisjen e negociatave.
Në një postim në Facebook, Mexhiti siguron qytetarët e Maqedonisë së Veriut se Qeveria do të vazhdojë të punojë me dinamikë të shtuar për të gjetur zgjidhje ndaj kontestit ndërshtetëror me Republikën e Bullgarisë duke miratuar ndryshimet kushtetuese në një afat sa më të shkurtër kohor.
“Si zëvendës kryeministër në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, i siguroj të gjithë qytetarët se Qeveria do të vazhdojë të punojë me dinamikë të shtuar për të gjetur zgjidhje ndaj kontestit ndërshtetëror me Republikën e Bullgarisë duke miratuar ndryshimet kushtetuese në një afat sa më të shkurtër kohor. Dëshpërim nuk ka! Procesi europianizues kthim mbrapa nuk ka! Vazhdojmë përpara më fuqishëm, më të vendosur, më të bashkuar së kurrë!”, ka shkruar Mexhiti.