Sot bëhen 26 vite nga masakra e Reçakut në Kosovë, ku forcat serbe sulmuan popullatën e pafajshme civile shqiptare, duke vrarë dhe masakruar 45 prej tyre.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e përkujtoi këtë ditë duke shkruar në rrjetet sociale mesazh nderimi.
“Nderim përjetë, me përulje dhe respekt, kujtimit të paharruar të 45 martirëve të Masakrës së Reçakut, mizorisë së kryer në zemër të Europës nga xhelati i Ballkanit, Sllobodan Millosheviç”, shkroi Meta.
Sipas Metës, ky krim i tmerrshëm kundër njerëzimit, siç me të drejtë e përkufizoi Ambasadori Walker, i tregoi mbarë botës të vërtetën e mizorive dhe gjenocidit kriminal në Kosovë.
“Në këtë ditë të kujtimit të sakrificave të shenjta të popullit të Kosovës është e rëndësishme të theksohet se Kosova kurrë nuk do jetë “tokë e askujt”, por përherë toka e Isa Boletinit, e Adem Jasharit dhe e të gjithë heronjve dhe martirëve, të cilët e kanë larë me gjakun e tyre atë tokë”, shkruan Meta.
Meta thekson më tej se “mbi atë gjak u ndërtuan themelet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, që në pak vite është shndërruar model në rajon për bashkëjetesën ndëretnike, si edhe të demokracisë funksionale në rritje, shembull që besoj se do të jepet edhe në zgjedhjet e afërta parlamentare atje”.
“Gjaku i Reçakut nuk bëhet ujë! Lavdi”, e përmbyll Meta reagimin./Atsh