Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar se Kosova është faktor i rëndësishëm i sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Meta, përmes një postimi në “Facebook”, me rastin e 75 vjetorit të themelimit të OKB-së, theksoi se në rast të anëtarësimit të Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, e gjithë bashkësia ndërkombëtare do të përfitonte nga kjo.
“Shqipëria beson fort se Republika e Kosovës është faktor i rëndësishëm i sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe anëtarësimi i saj në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu Kombet e Bashkuara, do të sillte përfitime jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në postimin e presidentit të Shqipërisë.
Meta, në 75 vjetorin e themelimit të OKB-së, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria ka marrë nga kjo organizatë për 65 vjet me radhë, nga anëtarësimi i saj.
“Në këtë 75-vjetor të Organizatës sonë, shprehim mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme që kemi marrë nga OKB, që provoi edhe në këtë vit fatkeqësish natyrore për vendin tonë, se ishte një partnere e vërtetë, veçanërisht me ndihmën e dhënë për tejkalimin e pasojave të tërmetit tragjik dhe përballimit të COVID-19.
Lidhur me përvjetorin e themelimit të OKB-së ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në ‘Twitter’ ka thënë se tani është koha që Kosova të anëtarësohet në organizatën ndërkombëtare.
“Roli i OKB-së në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në botë mbetet tejët i rëdnsishëm. Sot, kur njerëzimi përballet me sfida të reja është e rëndësishme që ne të qëndrojmë të bashkuar në ruajtjen e një të ardhme të sigurt të vendeve tona. Tani është koha që # Kosova të bëhet anëtare e KB”, ka deklaruar i pari i Kosovës sot.