Një person i gjinisë mashkullore është gjetur i vdekur të martën në kamp-shtëpizën e tij në Podujevë. Rasti është hapur në polici si “hetim i vdekjes”.
Ndërsa, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës Laureta Ulaj, konfirmon për Front Online se viktima ishte 63-vjeçar.
Ajo tha se për vdekjen e tij janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore.
“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se, me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, trupi i pa jetë (mashkull, i moshës 63 vjeçar) është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduskion. Rasti është cilësuar “hetim mbi vdekjen” dhe në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj vdekje”, tha Ulaj për Front Online.
Ky rast është bërë i njohur sot në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
“HETIM I VDEKJES/Podujevë 13.12.2022 – 10:06. Raportohet se viktima mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në kamp-shtëpizën e tij. Mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e PK-së./Front Online