×
  • Opinione
  • Opinione

    Mesazhe shprese në shkretëtirë

    FrontOnline
    27 Korrik 2021

    Ka lajme të parëndësishme që komentohen gjatë kohë dhe nxisin debate të kota. Ka edhe lajme të rëndësishme që kalojnë në heshtje. Një lajm shumë i rëndësishëm, që do të duhej të zgjonte debate, ishte urdhri ekzekutiv i presidentit amerikan, Joe Biden, për ngrirjen e pronave dhe ndalimin e hyrjes në ShBA të atyre që cenojnë paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor; që pengojnë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të paqes; që abuzojnë me të drejtat e njeriut dhe që merren me korrupsion e keqpërdorim të fondeve publike duke i shfrytëzuar lidhjet me pushtetin.

    Ky lajm të cilit nuk iu dha hapësira e duhur në media, u interpretua nga politikanët sipas logjikës së pesimistit apo optimistit. Sipas optimistit, gjysma e shishes është e mbushur, kurse sipas pesimistit gjysma e saj është e zbrazur.

    Megjithatë, urdhri i presidentit amerikan nuk është tekst letrar, që mundëson interpretime të pafundme. Ai është shumë i qartë: kërkohet stabilitet politik dhe respektim i ligjeve në shtetet e Ballkanit Perëndimor, themelet e të cilëve gërryhen nga korrupsioni, kurse patriotizmi është maskë për fshehjen e keqpërdorimeve të shumta.

    Notuesit nëpër fonde publike dhe populistët, që i komplikojnë gjërat e thjeshta nëpërmjet makinerive të tyre propagandistike, jetojnë nën ankth, edhe pse bëjnë sikur besojnë në vlerat amerikane dhe shtiren se i gëzohen këtij urdhri.

    Vendimi jo vetëm atyre ua ndalon hyrjen në ShBA (shumica shkojnë në vende tjera për pushime) dhe jo vetëm ua ngrin pasurinë që e kanë atje (shumica pasuritë i kanë diku tjetër), por e bën të qartë se kësi politikanësh nuk kanë vend në skenën politike dhe duhet të japin përgjegjësi për veprimet që i kanë bërë ndër vite.

    Përderisa vendimet e këtilla i frikësojnë politikanët e korruptuar, njëkohësisht ngjallin shpresë te qytetarët që duan të jetojnë në shtet normal, me stabilitet të brendshëm e të jashtëm, me rend dhe sistem vlerash.

    Një shtet nuk mund të përparojë nëse qytetarët jetojnë në gjendje emergjence të përhershme; nëse ligjet nuk vlejnë njësoj për të gjithë qytetarët; nëse humbet besimi në institucionet publike. Një shtet në gjendje anomie është kinse shtet.

    Nëntoka politike vepron kundër interesave amerikane dhe evropiane. Ajo është e paparashikueshme. I ndryshon ngjyrat sipas nevojës. Për t’i realizuar qëllimet e mbrapshta bashkëpunon edhe me djallin.

    Kundër politikanëve të këtillë duhet të veprojnë njësoj edhe institucionet e tjera ndërkombëtare. Duhet t’i thonë gjërat troç dhe pa diplomaci. Nuk duhet t’u lihet hapësirë të fshihen pas ideve të mëdha dhe kinse “rekomandimeve” të faktorit ndërkombëtar.

    Sot nuk merren seriozisht deklaratat e burokratëve të jashtëm. Keqpërdoruesit mund të pastrohen nga skena politike me veprime konkrete. Faktori ndërkombëtar duhet, njëherë e përgjithmonë, t’ua marrë fjalën atyre që bëjnë keqpërdorime dhe thirren në vlera të larta kombëtare, në demokraci apo integrime evropiane.

    Sigurisht, nuk mjafton vetëm angazhimi i faktorit ndërkombëtar. Duhet edhe përgjegjësia qytetare.

    Sot, siç thoshte Ismet Toto, kemi nevojë “për njerëz që bëjnë punë pa pretenduar të bëjnë not në mes të fondeve; njerëz me gjoks të fortë; njerëz që të kenë bindjen se do t’i dalin në krye qëllimeve edhe kur të mos t’i kenë të kompletuara, siç duhet, mjetet dhe veglat”.

    Nga Rubrika
    Opinione25 Korrik 2025
    Nga: Arian Galdini Ballkani, si rrënjë e thellë e një peme ende të palindur, rri i fshehur në errësirën e tensioneve historike...
    Opinione24 Korrik 2025
    Shkruan: Ben Andoni Beteja e radhës ndaj informalitetit e ka treguar kryeministrin Rama si të papërballueshëm në aksionet e tij të befta....
    Opinione23 Korrik 2025
    Më 28 shtator, zgjedhjet parlamentare do të mbahen në Moldavi, një ngjarje për të cilën Rusia shpreson se do ta kthejë Kishinau...
    Të tjera
    Bota/Rajoni27 Korrik 2025
    Siria do të organizojë zgjedhjet e para parlamentare nën autoritetet e reja në muajin shtator, njoftoi të dielën kryetari i organit përgjegjës...
    Bota/Rajoni27 Korrik 2025
    Ndërsa ndihmat e diskutueshme nga ajri rifilluan në disa pjesë të Gazës të dielën, disa palestinezë folën për vështirësitë e tyre për...
    Lajme27 Korrik 2025
    Një zjarr i qëllimshëm ka përfshirë një sipërfaqe të hapur me barishte në lagjen Kodra e Minatorëve në Mitrovicë të Veriut, më...
    Lajme27 Korrik 2025
    Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i ka komentuar zhvillimet e fundit në Gjykatën Speciale, ku u...
    Lajme27 Korrik 2025
    Gjatë muajit maj, dy kongresiste amerikane qëndruan për vizitë në Kosovë dhe Serbi. Më 30 maj në Prishtinë, republikania Claudia Tenney dhe...
    Lajme27 Korrik 2025
    Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar kandidaturën e Abdyl Gashit për kryetar të Komunës së Artanës. Sipas VV-së, “Abdyl Gashi është kandidati që përfaqëson...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.