Sipas disa raportimeve të ndryshme, Milani ka njoftuar mbrëmë (e diel) trajnerin Paulo Fonseca se është shkarkuar nga pozita e tij dhe Sergio Conceicao do të fillojë punën nga sot (e hënë) duke nënshkruar një kontratë potencialisht deri në qershor të 2026.
Një veprim jo i menduar mirë nga klubi ishte fakti që ata nuk biseduan me trajnerin e tyre para se ai të dhuronte intervistë për DAZN pas ndeshjes, aty ku u detyrua t’i përgjigjej pyetjeve për shkarkimin e tij.
“Unë kurrë në jetën time nuk kam pasur frikë nga diçka në futboll dhe do të vazhdojë kështu. Gjëja më e rëndësishme është të kem një mendje të pastër, se jam i sinqertë me ata që punojnë me mua. Mendja ime është e pastër, nuk kam frikë nga asgjë”, ka thënë Fonseca pas ndeshjes.
Vetëm pas këtij prononcimi, drejtorët dhe këshilltari i veçantë Zlatan Ibrahimovic u ulën për ta informuar Fonsecan për shkarkimin e tij.
Sergio Conceicao tashmë ishe pajtuar me kushtet e ofruara nga ‘Rossonerët’ disa orë para barazimit 1-1 ndaj Romës, kështu që vendimi ishte marrë me të gjitha qëllimet pavarësisht rezultatit të asaj ndeshje.
Sky Sport Italia ka raportuar se ish-trajneri i Portos, Conceicao do të jetë në qytetin e Milanit gjatë ditës së sotme për ta nënshkruar kontratën, sipas së cilës do të marrë një pagë 1 milionë euro deri në qershor të 2025.
Ai do të bëjë debutimin e tij në stolin e Milanit në Riad për gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë ndaj Juventusit të premten e 3 janarit./Telegrafi/