Të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët jetojnë jashtë vendin që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë vendit, pasi kanë plotësuar kriteret ligjore, kanë filluar që të votojnë përmes postës duke filluar nga data 2 shkurt, raporton Front Online.
Por, ata kanë afat vetëm edhe pesë ditë që t’i dërgojnë fletëvotimet në KQZ, pasi që sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, votat e mërgimtarëve pranohen deri dy ditë para ditës së zgjedhjeve që pritet të mbahen më 14 shkurt të këtij viti.
“Çështja e ardhjes apo pranimit të fletëvotimeve është përcaktuar në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Në nenin 96, pika 2, specifikohet se vota përmes votimit jashtë Kosovës dhe të pranohet nga KQZ-ja para ditës së zgjedhjeve. Pra, deri më 12 shkurt duhet të pranohen fletëvotimet nga jashtë vendit”, ka bërë të ditur për portalin Front Online, zëdhënësi I KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar t’i pranoj disa pako me fletëvotime nga diaspora.
“ Po, KQZ-ja ka filluar të pranojë pakot e supozuara me fletëvotime nga jashtë vendit”, tha shkurt ai./Front Online/