Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në emisionin Debat Plus, ka folur dhe ka treguar arsyen se përse Bedri Hamza është njeriu i duhur për Kosovën që të jetë në krye të qeverisësë së saj.
Krasniqi po ashtu ka treguar edhe arsyen përse ai nuk ka kandiduar për kryeministër, por këtë ia ka besuar Hamzës.
Po ashtu, Krasniqi ka ritheksuar se Kosova e meriton Bedri Hamzën për Kryeministër.
“Besoj që edhe në raste të tjera pas nominimit nga ana ime të Bedriut si kandidat për kryeministër, dhe unë besoj plotësisht që do të jetë edhe kryeministri i ardhshëm, jam munduar që ta shpjegoj. Ndërlidhet edhe më këtë video që e paskët shkëputur nga dita kur bashkëpartiakët e mi ma kanë dhënë besimin që ta udhëheq Partinë Demokratike të Kosovës dhe mbi të gjitha po e jap një përgjigje të shkurtër, sepse jam i bindur siç kam qenë para se t’i them edhe Bedriut, që Bedri Hamza është kryeministri ma i mirë që mund ta ketë Kosova sot. PDK-ja siç thatë, ka kaluar në një fazë të vështirë në vitin 2020-2021 dhe për mua më shumë siç e thashë dhe vazhdoj ta besoj njëjtë siç e kam thënë në 3 korrik të 2021-tës, ka qenë më shumë përgjegjësi se sa ambicie që të jem kryetar i PDK-së. Dhe kam kërkuar më shumë besim se sa vetëm një mandat dhe këtë besim e kam kërkuar sepse kam besuar se në kapitullin e ri në të cilin duhej ta udhëhiqja PDK-në do të duhej të ishte kapitulli i reflektimit ndaj asaj që kishte ndodhur. Dhe si parti, ne gjithmonë kemi reflektuar dhe kemi vepruar konform, ne besojmë nevojave të kohërave qoftë në themelimin e partisë, qoftë në vitin 2007 para shpalljes së pavarësisë, qoftë në 2014-tën kur patëm një rënie në zgjedhjet lokale, e besa edhe në vitin 2021 kur përjetuam, e them lirisht një traumë politike pas arrestimit të ish-kryetrait Veseli, presidentit Thaçi, zotit Krasniqi, Selimi dhe te tjerëve. Andaj edhe në rrugëtimin e ditëve të para kur kam pasur ta nominoj e ta aprovoj Kryesinë e re, kam kërkuar që të kem besimin e bashkëpartiakëve për çka edhe i falënderoj edhe publikisht të gjithë, sepse kam dashur që ta fillojë një kapitull të ri, i cili siç e thashë, e respekton trashëgënimin dhe të kaluarën, por fokusin e ka kah e ardhmja. Nuk ka qenë e lehtë që të ballafaqohemi me zgjedhjet lokale vetëm disa muaj pas pikërisht atij hulumtimi që iu referove, ku ne ishim edhe më keq se sa në rezultatin e 2021-tës, sipas atij hulumtimi, dhe nuk ishte ndoshta edhe e lehtë që ta bindë edhe anëtarësinë, lidershipin, edhe zyrtarët edhe degët që ne duhej ta zhvillonim një fushatë ndryshe ku nuk duhej të kishte protagonizëm të madh dhe tema nacionale, por fokus të kandidatët dhe tek oferta e tyre lokale. Por pastaj edhe për krejt periudhën e opozitarizmit dhe mënyrës së opozitarizmit e deri edhe tek nominimi i Bediriut. Kosova, populli i Kosovës është mjaftueshëm i përçarë dhe i polarizuar dhe ky është efekt i politikave dhe narracionit të diskursit krejtësisht të gabuar, në radhë të parë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të kryeministrit Albin Kurti.
Dhe jo vetëm gjatë kohës sa ka qenë në qeverisje, dhe sidomos sa ka qenë në opozitë. Dhe unë besoj që ne duhet të dalim prej kurthit të popullizmit të cilin e ka instaluar e edhe nacionalizmin të cilin e ka rritur në këtë fazë kryeministri i vendit dhe të kthehemi tek temat të cilat vërtetë iu interesojnë familjeve kosovare, preokupimet e tyre ditore e që ndërlidhen me koston e jetesës, ngritjen e çmimeve, me ekonominë e stagnume, me shëndetësinë në kollaps në sektorin publik, me arsimin e degraduar, dhe po ashtu edhe me largimin e madh të njerëzve e sidomos të rinjve dhe profesionistëve të Kosovës. Dhe besoj që një njeri si Bedri Hamza, i dëshmuar jo vetëm në jetën publike, në kohën kur e njeh edhe opinioni më i gjerë si ministër i financave dy herë, zëvendësministër para saj, si guvernator i BQK-së, sot edhe si kryetar i Mitrovicës, por edhe për faktin që kudo që ka vepruar, duke filluar si një nga profesionistët e ri të kohës në Trepçë, pastaj edhe në sektorin privat, në vitet e rënda, në vitet e ’90-ta, si një nga udhëheqësit e Komunës së Mitrovicës, menjëherë pas luftës, e edhe këtë pjesë të biografisë që ia dinë të gjithë, ka qenë njeri i dëshmuar, mbi të gjitha, i ndershëm, profesionist, i vendosur, dhe një njeri që gjithmonë ka udhëhequr me duar të pastra, dhe me ekipe të jashtëzakonshme të ekspertëve dhe profesionistëve rreth tij”, është shprehur Krasniqi në DP.