Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i cili në këto zgjedhje garon me numrin 5, ka shpalosur përmes një video adresimi planin e Rimëkëmbjes për të rinjtë, kulturën e sportin, fusha të cilat i ka mbështetur për sukseset e tyre ndërkombëtare në kohën sa ishte ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Krasniqi ka thënë se Kosova ka të rinj të shumtë të talentuar të cilët në momentin që u është dhënë mundësia e barabartë i kanë sjellë Kosovës shumë suksese në arenën ndërkombëtare.
“Disa nga momentet më të lumtura dhe më krenare që kam përjetuar, e që jam i sigurt edhe ju i keni ndjerë njejtë, kanë qenë ngritja e flamurit te Republikës së Kosovës në Rio De Janeiro pas fitores së medaljes së artë olimpike, ndeshjet e djelmoshave të Kombëtares së Kosovës në futboll, çmimet prestigjioze të filmave kosovarë nëpër festivalet më të mëdha botërore, por edhe përfaqësimi i shtetit tonë në Bienalen e Venedikut apo në eventet globale të inovacionit”, ka thënë ai.
“Të gjitha këto dhe shumë momente të tjera dëshmojnë se ne jëmi një shtet i ri, vibrant dhe me njerëz ambicioz e me potencial të jashtëzakonshëm kur u jipen mundësi të barabarta. Këtë tregim të Kosovës duhet ta dijë e gjithë bota. Dhe promovimi i këtij imazhi të vendit tonë është ndër detyrat tona më të rëndësishme”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se kur ka shërbyer si ministër i ka parë nga afër barrierat me të cilat janë ballafaquar qytetarët e Kosovës, e veçanërisht sportistët dhe artistët, dhe siç ka thënë ai, janë pikërisht këta që në shumë raste ia kanë dëshmuar botës se sa i padrejtë ka qenë izolimi i tyre dhe Kosovës në përgjithësi.
“Me planin tonë të Rimëkëmbjes, izolimi i të rinjve tanë, izolimi i shtetit tonë dhe i potencialit që ekziston në Kosovë, do të marrë fund një herë e përgjithmonë.
Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme për t’i marrë këto përgjegjësi. Prandaj me 14 shkurt, na duhet mbështetja juaj”, tha Krasniqi.
Më poshtë mund ta shikoni adresimin e plotë të Krasniqit:
https://www.facebook.com/memli.krasniqi/posts/1849111685227246