Australia njoftoi të hënën se qyteti i saj i dytë më i madh, Melbourne, do të dalë nga izolimi për shkak të koronavirusit, pas gati katër muajsh.
Kryeministri i shtetit Victoria, Daniel Andrews, tha se nga mesnata e 27 tetorit, të gjitha dyqanet, restorantet, kafenetë dhe baret do të lejohen të hapen, pasi, të hënën, nuk u regjistrua asnjë rast i ri apo viktimë si pasojë e koronavirusit.
Nga 9 nëntori, ndërkaq, banorët e Melbournet nuk do të kufizohen më të udhëtojnë vetëm brenda 25 kilometrave nga shtëpitë e tyre.
Ata gjithashtu do të lejohen të udhëtojnë nga qyteti në pjesë të tjera të Victorias.
Melbourne ka qenë nën masa të rrepta izolimi që nga fillimi i korrikut.
Qeveria e shtetit është akuzuar për shkaktimin e dëmeve të panevojshme ekonomike, duke mos i lehtësuar kufizimet më parë.
Hera e fundit kur Victoria ka regjistruar një periudhë 24-orëshe pa asnjë rast të vetëm me koronavirus, ka qenë 9 qershori, para se të fillonte vala e dytë e infeksioneve.
Melbourne, në verë, është bërë epiqendër e valës së dytë të koronavirusit, me raste ditore që arrinin në mbi 700 në muajin gusht.
Në përgjithësi, Australia – me 25 milionë banorë – ka qenë relativisht e suksesshme në kontrollimin e përhapjes së koronavirusit.
Ajo ka regjistruar rreth 27.500 raste në total dhe deri më tash janë shënuar 905 viktima.