Mediat serbe vazhdojnë të merren intensivisht me deklaratat e kandidatit të AAK-së për president, Ramush Haradinaj.
Paralajmërimi i Haradinajt për bashkim me Shqipërinë nëse BE-ja nuk lëviz drejt njohjes së pesë shteteve anëtarë dhe nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, po përcjellën me interesim në shtetin fqinj.
Deklarata e sotme e Haradinajt në Ferizaj si mesazh për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për njohjen e Kosovës, sonte është ndër lajmet kryesore në Serbi.
“Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati për president, Ramush Haradinaj e ka porositur presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqi që më mirë e ka ta njoh Kosovën. Ai ka kërcënuar se të kundërtën Prishtina do të vazhdojë me bashkim me Shqipërinë”, shkruajnë mediat më të mëdha serb B92, Blic, Danas, Tanjug, etj.
“Haradinaj në tubimin e AAK-së në Ferizaj, ka thënë se vendimi i Serbisë që most a njoh Kosovën vetëm sa po i bën dëm Vuçiqit. Ai ka shfaqur besimin se do të jetë president i Kosovës, dhe se do të jetë presidenti i parë që do t’i zgjidh raportet me Serbinë”, raportojnë tutje këto media.
Më pas këto media përcjellin deklaratën tjetër të Haradinajt, i cili tha: “Kur të bëhem president, me emër të Zotit dhe me ndihmën tuaj, do të përshendetemi nga Vuçiqi. Kështu që, me japni Kosovën, mos e shtyeni më, sepse nuk kemi kohë të presim, sepse e kemi bërë ushtrinë dhe pavarësinë energjetike, po e shtrojmë rrugën drejt bashkimit me Shqipërinë. Nuk keni zgjidhje, mos e shtyeni, sepse ne po e bëjmë punën tonë”.