Hungaria thuhet se ka dërguar oficerë policie në Bosnjë dhe Hercegovinë për ta ndihmuar Millorad Dodikun, kryetarin e entitetit serb të BeH të quajtur Republika Serbe, të largohet nga vendi në rast të një aksioni për arrestimin e tij, raporton media shtetërore zvicerane SRF, transmeton Klix.ba.
“Duke e mbështetur Dodikun, ne po veprojmë si kundërpeshë ndaj Perëndimit, i cili po ushtron presion mbi të,” i tha SRF-it zëvendësministri i Jashtëm hungarez, Levente Magyar.
Ai nuk sheh problem në kërcënimet e vazhdueshme të Dodikut për shkëputje, të cilat po destabilizojnë Bosnjën dhe Hercegovinën. Përkundrazi, ai beson se Perëndimi “me politikat e tij në fakt po i shtyn serbët e Bosnjës drejt shkëputjes”.
Në ditën e shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë kundër Dodikut në shkurt, rreth 70 policë hungarezë ndodheshin në Bosnje dhe Hercegovinë. Zyrtarisht, ata kishin shkuar të merrnin pjesë në një stërvitje të përbashkët me policinë e Republikës Serbe. Megjithatë, SRF shkruan se misioni i tyre i vërtetë ishte një tjetër – ta ndihmonin Dodikun të arratisej, nëse Gjykata e BeH do të urdhëronte arrestimin e tij.
Zëvendësministri hungarez Magyar konfirmoi për SRF praninë e oficerëve policorë hungarez në BeH, por hodhi poshtë akuzat duke i quajtur ato një “shaka”.
Media zvicerane shkruan se në kohën e pranisë së policisë hungareze në BeH, ndaj Dodik nuk kishte një urdhër arresti në fuqi, ashtu që arratisja nuk ishte e nevojshme.
Megjithatë, situata ka ndryshuar ndërkohë.
Pas shpalljes së aktgjykimit, Dodik nxori një sërë dekretesh që u vlerësuan si përpjekje për të minuar institucionet shtetërore të BeH. Kur autoritetet e ftuan për paraqitje, ai refuzoi të bashkëpunonte, gjë që rezultoi në lëshimin e një urdhër arresti.
Kujtojmë se lidhja e Hungarisë me të arratisurit politikë nuk është e re. Shembulli më i famshëm është rasti i Nikolla Gruevskit, ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, i cili u largua nga vendi në nëntor 2018 me ndihmën e diplomatëve hungarezë dhe pjesëtarëve të inteligjencës.
Më pas, përkundër urdhër-arrestit, ai kaloi disa kufij shtetërorë duke përdorur vetura diplomatike dhe mbërriti në Hungari. Kur më në fund gjeti strehim në Hungari, qeveria e Orbanit i dha atij azil.
Rasti Gruevski nuk ishte i vetmi. Në vitin 2024, ish-presidenti brazilian Jair Bolsonaro u strehua në ambasadën hungareze në Brazil, nga frika e arrestimit pasi iu konfiskua pasaporta.