Nga 14 janari i këtij viti, Fadil Fazliu nuk punon në Ministrinë e Infrastrukturës. Por, pas më shumë se 9 muajsh, me ‘user’ të tij u certifikua vjedhja e afro 2.1 milionë eurove nga buxheti i kësaj ministrie. Emri i tij përmendet gjatë kryerjes së këtyre transaksioneve të paligjshme. Aktualisht ai është në pushim.
Zyrtari i Thesarit, Labinot Gruda, dyshohet se krijoi disa ‘userë’ të rremë për t’i kryer vetë katër transaksione të njëpasnjëshme që i çuan 2,077,995.90 euro në llogarinë e “LDA Group”, në pronësi të Kadri e Valon Shalës. Sipas Ministrisë së Financave, njëri nga ‘userët’ nuk ishte fiktivë. Bëhet fjalë për ‘userin’ e Fadil Fazliut, që deri më 14 janar punonte në Ministrinë e Infrastrukturës si zyrtar certifikues.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, tha të hënën në Pressing të T7 se Gruda kishte mundur që vetë të krijonte gjithçka në mënyrë fiktive për ta realizuar këtë plan, por jo edhe ta certifikonte pagesën. Për ta bërë edhe hapin më të rëndësishëm, Bajrami tha se ai e ka shfrytëzuar ‘userin’ ende aktiv të Fadil Fazliut, i cili e kishte lënë Ministrinë e Infrastrukturës për t’u angazhuar si ushtrues i detyrës së udhëheqësit të Njësisë për Patentë Shoferë në Mitrovicë. Nga gjurmimet e IT-së në Ministrinë e Financave, Bajrami ka treguar se Gruda e ka thyer passwordin e Fazliut për t’i kompletuar të gjitha transaksionet nga tavolina e tij e punës.
“Tash ky të gjitha ka mund me i kriju, por nuk ka mundur ta certifikojë pagesën. Dhe kur vjen te certifikimi i pagesës, ky e then passwordin e një zyrtari të Ministrisë së Infrastrukturës, gjithmonë po flas sipas raporteve. Raporti e ka nxjerrë këtë si të dyshuar sepse të gjitha këta hapa janë të gjurmueshëm sipas raportit të IT-së. Dmth është punu prej kompjuterit të tij, prej IP-së së tij, ditën kur ai ka qenë në punë, e kështu me radhë. Tash kur ka ardhë te certifikimi, e ka thy, e ka bërë reset passwordin e certifikuesit të Ministrisë së Infrastrukturës, zyrtar ky, i cili për çudi, nuk punon në Ministri të Infrastrukturës që 9 muaj”, ka thënë Bajrami.
Ajo e ka arsyetuar dyshimin e saj në mungesën e një kërkese nga Ministria e Infrastrukturës për t’ia mbyllur ‘userin’ Fadil Fazliut, pasi ky i fundit ishte larguar nga pozita e zyrtarit certifikues në janar.
“Ministria e Infrastrukturës në momentin kur një zyrtar i saj largohet nga puna, e ka për obligim që brenda ditës me e njoftu Thesarin me ia mbylë qasjen. Ne nuk kemi kërkesë të tillë në Ministrinë e Financave. Qasja e tij ka qenë aktive. Ai nuk e ka përdoru këtë qasje, sipas raportit. Mirëpo, kjo i ka ndihmu të dyshuarit që kur e ka resetu passwordin e tij, askush mos me e marrë një alert që është resetu passwordi… Sipas informatave, ai tash është drejtor i një drejtorie në Komunën e Mitrovicës. Këtë e kanë konifirmu vetë Ministria e Infrastrukturës kur kanë thënë se ky person nuk punon që 9 muaj. Zëvendësdrejtoresha e Thesarit ua ka kthy se ju asnjëherë nuk na keni bërë kërkesë neve me e mbyllë këtë. Zyrtari certifikues është tepër i rëndësishëm në secilën organizatë buxhetore”, ka thënë Bajrami, duke shtuar se sipas informacioneve të saj, Fazliu punon si drejtor në Komunën e Mitrovicës.
Për ta marrë versionin e Fadil Fazliut për të gjitha pretendimet dhe dyshimet, Gazeta Express gjatë gjithë ditës ka provuar që të kontaktojë me të, por ai nuk ka qenë i qasshëm. Nga zyra e tij në Mitrovicë, kanë thënë se Fazliu aktualisht është në pushim.
Lidhur me implikimin e mundshëm të Fadil Fazliut në këtë vjedhje, sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi, sot në një konferencë për media ka thënë se ministrja Hykmete Bajrami mund të jetë keqinformuar nga ata që duan ta heqin përgjegjësinë nga vetja. Ai ka treguar se Fazliu është ende pjesë e kësaj ministrie dhe se në çdo kohë mund të kthehet në pozitën ku kishte qenë më herët.
“Ministrja Hykmete Bajrami me siguri është e keqinformuar, sepse këtë informatë nuk e ka prej ministrisë tonë, por kush e di kush ia ka dhënë. Edhe tash njerëzit për me e heq përgjegjësinë japin edhe informata të pasakta te ministrja. Ky zyrtari Fadil Fazliu, me atë emërim është zyrtar certifikues në Ministrinë e Infrastrukturës. Prej datës 14 janar 2020 është i transferuar përkohësisht si ushtrues i detyrës së udhëheqësit të Njësisë së Patentë Shoferëve në Mitrovicë. Do me thënë, është punëtor i Ministrisë së Infrastrukturës, nuk është punëtor i komunës ose drejtor i komunës qysh e kishin keqinformu ministren Bajrami. Në çdo kohë mundet me u kthy dhe me e ushtru detyrën qysh e ka me atë emërim”, ka thënë Bytyqi.
Nga të dhënat e deritashme të MI-së, Bytyqi tha se asnjë zyrtar i këtij dikasteri nuk është i dyshuar për këtë rast.
“Nuk ka ndonjë ndërlidhje të asnjë zyrtari të Ministrisë së Infrastrukturës në këtë proces… Deri tash nuk ka asnjë zyrtar të Ministrisë së Infrastrukturës që është intervistu. Nuk dmth që në të ardhmen nuk ka me ndodhë”, tha sekretari i MI-së.
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi tha se pa dashur ta shfajësojë zyrtarin e kësaj ministrie, procesi i ‘userëve’ është në dorë të Ministrisë së Financave, përkatësisht Thesarit. Kjo, sipas tij duket është çështja që duhet të hetohet.
“Është proces që nuk është në dorë të ministrisë. Çështja e ‘userave’ dhe certifikimi i ‘userave’ shkon përmes Thesarit sa e di unë. Dhe kalojnë në trajnime dhe ata janë zyrtarë të cilët mandej punojnë për Ministrinë por realisht i kryejnë shërbime edhe Thesarit edhe Ministrisë. Prandaj është diçka që duhet me u hetu. Ajo që e tha sekretari, ai ka atë emërim dhe është zyrtar certifikues, pa dashtë me e shfajësu”, tha Abrashi.
Labinot Gruda, ka qenë i ngarkuar me procedurën për menaxhimin e qasjes së përdoruesve në sistemin informativ të menaxhimin e financave të Kosovë. Sipas ministres së Financave, Hykmete Bajrami, ai i ka keqpërdorur të gjitha këto autorizime duke krijuar llogari të rreme dhe duke vepruar si zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës.
“Ka kriju llogari të rrejshme dhe ka vepru sikur të ishte zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës, duke dhënë të gjitha urdhërat: duke dhënë urdhër-blerjen, duke bërë pranimin e mallit, duke bërë certifikimin e dokumentacionit, duke bërë shpenzimet dhe në fund duke bërë certifikimin. I ka kryer disa hapa, të, të cilët sipas ligjit dhe procedeurës, do të duhej t’i kryenin zyrtarë në Ministrinë e Infrastrukturëse”, ka thënë Bajrami.
Kësisoj, Gruda dyshohet e kishte regjistruar kompaninë “LDA Group” si furnitor me numrin e xhirollogarisë dhe e kishte bërë urdhërin për pagesë. Kur procesi i kompletuar ka shkuar te departamenti i pagesave, gjithçka është parë në rregull, sepse ai i kishte kryer të gjitha procedurat nga tavolina e tij.
Me kërkesë të Prokurorisë Speciale, Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar Grudës masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Ndërkaq pronari i “LDA Group”, Kadri Shala, që ishte në arrati bashkë me Valon Shalën, të hënën u dorëzua në Policinë e Kosovës, ashtu siç kishte paralajmëruar në një letër të dërguar në Express dhe T7. Sot, Gjykata Themelore e Prishtinës ia caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Në arrati, ende ndodhet Valon Shala, përfaqësues i autorizuar i kësaj kompanie.