Analisti politik Ilir Ibrahimi ka thënë se dy fuqitë botërore, Brukseli dhe Washingtoni, po kërkojnë kompromis edhe nga ana e Kosovës për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
Ai tha se BE-ja nuk ka përjashtuar opsionin e krijimit të një asociacioni, me ose pa kompetenca ekzekutive, e Washingtoni nuk e ka përjashtuar shkëmbimin territorial si mundësi pajtimi përfundimtar mes Kosovës dhe Serbisë, njofton Klan Kosova.
Në rast se Kosova vendoset para kësaj zgjedhje, për Ibrahimin më mirë është të pranohet shkëmbimi i territoreve sesa asociacioni me kompetenca ekzekutive.
“Shoqëria kosovare duhet të ketë të qartë se a e dëshiron një marrëveshje me Serbinë dhe se a është një marrëveshje e tillë në interes të shoqërisë kosovare. Më tepër na është paraqitur si një lloj imponimi nga faktori ndërkombëtar sesa një interes nacional i Kosovës”.
“Nga të dy qendrat, Brukseli dhe Washintoni, kemi dëgjuar se duhet një lloj kompromisi për të arritur marrëveshjen finale me Serbinë. Nëse këto janë dy opsionet (asociacioni me kompetenca ekzekutive apo e shkëmbimit të territoreve) që duhet të bëjmë atëherë Kosova këtë diskurs duhet të zhvillojë. Këtë diskurs që ne e kemi parë në tre-katër vjetët e fundit kanë qenë i bazuar në preferenca individuale ndaj një politikani apo tjetrit sesa një diskurs të mirëfilltë të interesave të Kosovës”.
“Për mendimin tim një asociacion që futet këtu dhe ende nuk e përfundon punën me Serbinë është shumë më i dëmshëm sesa një mundësi e shkëmbimit të territoreve ku ne do të mund të shtynim përpara interesat tona kombëtare në ato vise ku ka shumicë shqiptare dhe të hiqnim dorë nga kjo pjesë e veriut që deshëm ose jo ta pranojmë nuk kemi kontroll”.
Ibrahimi në Rubikon të Klan Kosovës tha se është parë edhe gjatë pandemisë sa Kosova nuk ka kontroll në veri dhe kritikoi politikanët, sipas tij, që asnjëri nuk e pranoi mungesën e kontrollit në këtë pjesë të vendit.
Publicisti Ibrahimi tha se këto çështje duhet të hapen nëse Kosova do që të merr pjesë në një marrëveshje me Serbinë.
“Nëse ne nuk e shohim si interes të Kosovës atëherë ne duhet të kemi strategji se si të zvarrisim procesin e dialogut, por s’mund ta gënjejmë popullin duke thënë se po shkojnë për njohje reciproke duke mos pasë konsensus dhe kur s’e di se sa je në gjendje të japësh”.