×
  • Lajme
  • Lajme

    Mbyllja e institucioneve serbe në Kosovë, puna bëhet nga shtëpia

    FrontOnline
    09 Janar 2025

    Punë edhe nga shtëpia, edhe nga një qytet kufitar i Serbisë. Ky është rasti i Milloshit nga veriu i Kosovës tash e disa muaj, pasi autoritetet e Kosovës e kanë mbyllur institucionin ku ai ka punuar, me arsyetimin se veprimtaria e tij, brenda sistemit të Serbisë, ka qenë e paligjshme.

    Një ose dy herë në javë, Milloshi shkon për të punuar përtej kufirit, ku Beogradi zyrtar i ka zhvendosur institucionet e tij pas mbylljes.

    Identiteti i vërtetë i tij, institucioni ku ai punon dhe vendbanimi i tij në Kosovë janë të njohur për Radion Evropa e Lirë, por ai kërkon që të gjitha të mbeten anonime, nga frika se mund të akuzohet për “falsifikim dokumentesh” – ashtu siç e karakterizon, zakonisht, punën në institucionet serbe Prokuroria e Kosovës.

    Në muajin dhjetor, REL-i ka përcjellë shkuarjen në punë të Milloshit dhe të disa qytetarëve tjerë në një qytet kufitar të Serbisë.

    Ata nisen rreth orës 7:00 në mëngjes. Nganjëherë vonohen për shkak të tollovisë në trafik, por palët i presin me padurim para zyrave alternative, të vendosura në kontejnerë të zinj, pranë pikave kufitare: Bërnjak, Jarinjë e Merdare.

    Disa kërkojnë certifikata ose dokumente të tjera administrative, të lëshuara nga autoritetet serbe, e të tjerë dokumente për kredi në bankë, apo të ngjashme.

    Gjatë tri-katër ditëve të tjera të punës në javë, Milloshi punon nga shtëpia në Kosovë.

    Në shtator të vitit të kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do t’i mbyllë institucionet për Kosovën dhe ka paralajmëruar hapjen e “zyrave moderne” në anën serbe të pikave kufitare.

    Ai ka premtuar edhe më shumë të ardhura për ata që udhëtojnë, në mënyrë që t’u mbulohen shpenzimet.

    Por, ka edhe nga ata që nuk shkojnë në punë pas mbylljes së institucionit të tyre nga autoritetet e Kosovës.

    Petri nga Mitrovica e Veriut është një nga ta. Ai shkon në Rashkë të Serbisë vetëm për të marrë rrogën, meqë dinari serb është hequr nga përdorimi në Kosovë qysh në shkurt të vitit të kaluar.

    “Unë nuk shkoj në punë, por rroga më del në llogarinë në dinarë. Ndoshta edhe kjo është dashur të zgjidhet, në mënyrë që rroga të na dalë në euro”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Cilat institucione janë mbyllur deri më tani?
    Autoritetet e Kosovës kanë vazhduar edhe këtë vit me mbylljen e institucioneve që punojnë në sistemin e Serbisë e që Prishtina zyrtare i konsideron të paligjshme.

    Më 8 janar është mbyllur Administrata Tatimore në Mitrovicë të Veriut – njërën nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – ka thënë se autoritetet kosovare i kanë mbyllur hapësirat e saj, por jo edhe Administratën Tatimore të Republikës së Serbisë që vepron në Kosovë.

    Pas një takimi me rreth 80 punonjës të kësaj administrate, ajo ka thënë se ata do të vazhdojnë t’i marrin normalisht të gjitha përfitimet nga buxheti i Republikës së Serbisë.

    Takime të ngjashme, kjo parti ka mbajtur edhe me punëtorët e Drejtorisë për Urbanizëm, të Drejtorisë për Hapësira Banesore dhe Afariste dhe të Drejtorisë për Toka Ndërtimore në Mitrovicë të Veriut, të cilat janë mbyllur në fund të dhjetorit të vitit 2024.

    Atyre u është premtuar se do të vazhdojnë të marrin paga dhe se do t’u ofrohet çdolloj mbështetjeje.

    Kosova ka nisur mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.

    Pastaj janë mbyllur organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    Ndërkohë janë mbyllur edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.

    Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë kanë funksionuar në sistemin e Serbisë.

    Presidenti serb, Vuçiq, ka thënë në mes të shtatorit se mbyllja e tyre ka lënë rreth 5.800 persona pa punë, por se ata do të vazhdojnë t’i marrin pagat e tyre.

    Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e cilëson mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë si “konfiskim të pronës serbe dhe okupim”.

    Radio Evropa e Lirë ka pyetur këtë zyrë nëse ka ndonjë plan afatgjatë për institucionet që janë duke i mbyllur autoritetet e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

    Marrja e aseteve dhe ndërprerja e projekteve
    Gjatë vitit të kaluar, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka përvetësuar edhe disa objekte në veri, duke thënë se ka juridiksion mbi to.

    Disa prej tyre, ajo ua ka dhënë me qira biznesmenëve shqiptarë, të cilët kanë hapur dyqane ushqimore, restorante, pastiçeri apo kafene, por popullata lokale serbe, kryesisht, i bojkoton ato.

    Po ashtu, në fund të vitit 2023, Agjencia e Privatizimit ka marrë nën kontroll resortin Rajska Banja në Banjskë, afër Zveçanit, rinovimi dhe ndërtimi i të cilit janë iniciuar nga Qeveria e Serbisë, përmes Zyrës së saj për Kosovën, në vitin 2015.

    Zyrtarët serbë kanë thënë se Qeveria serbe ka investuar rreth shtatë milionë euro në këtë projekt.

    Komuna e Zubin Potokut ka marrë nën kontroll edhe objekte banimi që janë ndërtuar me mjete të Qeverisë së Serbisë.

    Në Mitrovicë të Veriut, ndërkohë, janë ndërprerë disa projekte të financuara nga Serbia – mes tyre, ndërtimi i një universiteti që do të funksiononte brenda sistemit serb.

    Nga Rubrika
    Lajme09 Janar 2025
    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim ndaj 12 të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”. 11 prej tyre, Gjykata i dënoi me...
    Lajme09 Janar 2025
    Ambasada e Kosovës në Gjermani ka lëshuar një njoftim të rëndësishëm për shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar me...
    Lajme09 Janar 2025
    Ish-deputeti i VV-së, Dardan Sejdiu ka reaguar pasi Vetëvendosje ka vendosur që të bojkotoj debatet në T7, RTV Dukagjini dhe në Klan...
    Të tjera
    Sport09 Janar 2025
    Një nga skuadrat që synonte mbrojtësin e kombëtares shqiptare Ardian Ismajli në merkaton e janarit ishte edhe Lazio, por sipas lajmeve të...
    Zgjedhjet 202509 Janar 2025
    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (131), Memli Krasniqi, ka mbajtur një takim mobilizues me shtabet zgjedhore të degëve të Lipjanit, Malishevës...
    Vip09 Janar 2025
    Aktori Ben Affleck ka ikur nga zjarri i egër që ka shpërthyer në Pacific Palisades, duke nxituar tek shtëpia e ish-gruas së...
    Vip09 Janar 2025
    Gjatë mëngjesit të sotëm dy banorët e shtëpisë më të madhe në vend, Gresa dhe Driloni janë përplasur me fjalë. Shkak i...
    Lajme09 Janar 2025
    Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji është takuar me ekipin e BERZh-it për të diskutuar rreth zhvillimeve kyçe në sektorin e...
    Lajme09 Janar 2025
    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka quajtur përpjekje të dëshpëruar për të kamufluar dështimet në qeverisje në katër...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.