Shkolla fillore e mesme e ultë “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, është mbyllur me vendim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, pas paraqitjes së rasteve me COVID-19.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar, drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani.
Shabani ka treguar se 6 mësimdhënës dhe 11 nxënës kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.
“Janë 6 mësimdhënës dhe 11 nxënës me COVID-19 në shkollën amë Mihal Grameno. Prandaj në bazë të rekomandimeve të ISHKPK-së, shkolla kalon në variantin C- mësim online”, ka thënë Shabani.
Deri më tani në vend 21 mijë e 545 persona kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 ndërsa 714 të tjerë kanë mbetur të vdekur.
Mësimi në vend është duke u zhvilluar në tre skenarë, A ( fizik), B ( i kombinuar) dhe C ( online).