Kategoria Superiore ka ulur sot siparin e këtij sezoni sfilitës, por që ka dhuruar emocione deri në minutat e fundit të tij. Si asnjëherë më parë 4 ekipe kanë qenë në vorbullën e titullit kampion përgjatë të 36 javëve.
Megjithatë në fund ajo që ia ka dalë ka qenë Teuta. Apolonia ka qenë e pafuqishme përballë durrsakëve, të cilët kanë qenë më të motivuar se kurrë duke shënuar 5 herë në portën kundërshtare.
Dejvi Bregu ka treguar se është një lojtar që di të bëjë diferencën dhe me 3 golat e tij ka qenë vendimtar për ti dhënë titullin Teutës. Ndërkohë në krahun tjetër Vllaznia ka bërë detyrën duke mposhtur Laçin me shifrat 2-0, por një golavarazh i tillë është i pamjaftueshëm për ti marrë kreun ekipit të Martinit, pavarësisht pikëve të barabarta. Për më tepër përballë ka pasur një skuadër si ajo e kurbinasve, së cilës nuk ëshë aspak e lehtë t’i shënosh. Gjithsesi me paraqitjet e shkëlqyera të bëra këtë sezon, Vllaznia është fitues moral në këtë kampionat, ku nga një ekip që luftonte për mbijetesë përfundon në pikë të barabarta me vendin e parë.
Sa i përket Partizanit, të kuqtë kanë marrë një fitore 2-4 në minutat e fundit me Bylisin, që me këtë humbje nuk mund të shpëtojë veten nga rënia në Kategorinë e Parë. Kastrioti ka triumfuar kundër Kukësit dhe e mbyll sezonin në vendin e 8, ku do të përballet në play out me Tomorin për të vendosur se cili do të jetë pjesë e Superiores në edicionin e ri.