Në një pasdite dramatike, sot, Atletico Madridi është shpallur kampion në kampionatin elitar spanjoll, La Liga.
Skuadra e Diego Simeones ka pasur nevojë vetëm për fitore sot ndaj Real Valladolidit për ta fituar titullin e kampionit, shkruan FrontOnline.
Madrilenët edhe e arritën këtë duke e mposhtur Real Valladolidin me përmbysje 1:2.
Fillimisht, shënoi Valladolidi përmes Planos në minutën e 18-të, derisa Atletico e mori fitoren me golat e Angel Correas (’57) dhe Luis Suarezit (’67).
Me këtë fitore, Atletico Madridi shpallet kampion në xhiron e fundit të këtij edicioni me 86 pikë të tubuara pas 38 ndeshjeve, kurse Valladolidi e mbyll edicionin në vendin e 19-të me 31 pikë duke rënë nga elita.
Nga ana tjetër, fitorja e Real Madridi 2:1 ndaj Villarealit nuk ka mjaftuar për djelmoshat e Zinedine Zidanes.
Real Madridi e fitoi ndeshjen në çastet e fundit me golat e Benzemas (’87) dhe Modriqit (’90), derisa për Vilalrealin shënoi Pino (’20).
Madrilenët do të shpalleshin kampionë vetëm në rast të dështimit të sotëm të Atleticos.
Kështu, Real Madridi e mbyll edicionin në vendin e dytë me 84 pikë, kurse Villareali në vendin e shtatë me 58 sosh./FrontOnline/