×
  • Lajme
  • Lajme

    Mbledhja e Qeverisë së Kosovës, këto janë vendimet më të reja

    FrontOnline
    30 Tetor 2020

    Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka thënë sot se Projektbuxheti për vitin 2021 i përgjigjet sfidave ekonomike të shkaktuara nga pandemia.

    Hoti ka thënë se kanë arritur që t’i adresojnë shumicën e kërkesave të ministrive në projekte zhvillimore.

    Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka mbajtur sot mbledhjen e të rregullt, ku ka miratuar Projektligje dhe vendime të ndryshme të fushave të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

    Lexoni të plotë njoftimin e Kryeministrisë rreth vendimeve të sotme:

    Në mbledhjen e sotme është miratuar Projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, i cili do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës për shqyrtim dhe miratim. Buxheti për vitin 2021 planifikon të hyra sipas parashikimeve fiskale në shumën prej 1 miliardë e 885.9 milion euro, që janë 97.4 milion euro më shumë se sa vitin e kaluar. Shpenzimet buxhetore për vitin 2021 parashikohet të jenë 2 miliardë e 412.6 milion euro, apo 207.6 milion euro më të vogla se sa vitin paraprak.

    Përgatitjen dhe harmonizimin e kërkesave të organizatave buxhetore për Buxhetin 2021 e ka përcjell situata e rënduar me pandeminë COVID-19, por edhe projeksionet e të hyrave dhe shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Kjo situatë e ka bërë të vështirë edhe parashikimin e zhvillimeve si dhe një deficit në vlerë prej 4.2 për qind të Bruto Prodhimit Vendorë (BPV), i cili do të përmbushet me emetimin e letrave me vlerë nga Thesari i Republikës së Kosovës dhe nga financimet e jashtme.

    Projektbuxheti, në përputhje me ligjin, do të procedohet sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës për miratim.

    Në takim e sotëm të qeverisë është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes financiare për IPA 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Me miratimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova do të përfitojë 90 milion e 200 mijë euro në formë të mbështetjes së projekteve zhvillimore në fusha të ndryshme.

    Edhe Projektligji për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve të shpejtësisë së lartë është miratuar nga Qeveria në mbledhjen e sotme. Ky Projektligj lehtëson dhe nxitë ndërtimin e rrjeteve të komunikimit me shpejtësi të lartë dhe promovon përdorimin e përbashkët të infrastrukturës fizike ekzistuese, duke mundësuar një zhvillim më efikas të infrastrukturës së re fizike, në mënyrë që këto rrjete të mund të shtrihen me kosto sa më të ulët. Projektligji përcakton të drejtat dhe obligimet minimale për të lehtësuar shtrirjen e këtyre rrjeteve si dhe është në përputhje edhe me Direktivën e Parlamentit Evropian për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lart.

    Miratimin nga Qeveria e ka marr edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit legjislativ për vitin 2020, sipas të cilit Projektligji për Shërbimin Korrektues dhe Shërbimin Sprovues ndahet në dy projektligje, si dhe shtyhen afatet e miratimit të 19 projektligjeve nga Qeveria e Kosovës. Me këtë vendim në Programin Legjislativ për vitin 2020 shtohen 15 projektligje të reja, ndërsa hiqet nga Programi Legjislativ për vitin 2020, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Teatrot në Kosovë.

    Me vendimin e miratuar sot nga Qeveria e Republikës së Kosovës është themeluar Komisioni ad-hoc për shqyrtimin e ankesave në procesin e rekrutimit të katër anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, në këtë përbërje: Ibër Alaj, u.d. Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kryesues; Razafa Ukimeraj, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Pushtetit Lokal, anëtare; Besim Kamberaj, u.d. Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, anëtar.

    Qeveria ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme për bartjen e mjeteve financiare në shumën prej 860 mijë e 190 euro te komunat e Kosovës. Këto mjete do të përdoren për ekzekutimin e shtesave në pagë për zjarrfikësit.

    Qeveria ka miratuar edhe kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për transfer të mjeteve nga shpenzimet kapitale te kategoria e shpenzimeve mallra dhe shërbime në shumën prej 138 mijë e 940 euro. Këto mjete do të përdoren për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në Mitrovicën e Veriut.

    Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar në mbledhjen e sotme vendimin për ndalim të të gjitha shtesave për zyrtarët në organizata buxhetore, që janë në kundërshtim me nenin 80 të Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë. Shtesat që nuk janë në kundërshtim me nenin 80 të këtij Ligji, si dhe ato që kanë bazë ligjore në legjislacionin në fuqi për shërbimin civil, mbeten në fuqi dhe nuk do të ndikohen nga ky vendim.

    Është aprovuar Raporti nëntëmujor i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2020, i cili do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sipas Raportit evidentohen të hyra në total 1,502.25 milion euro, që janë 10% më të vogla se në periudhën e njëjtë të viti të kaluar dhe shpenzime në total 1,512,90 milion euro, 8% më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Bilanci bruto i fondeve në Buxhetin e konsoliduar më 30 shtator ishte 446.16 milion euro, derisa më 1 janar 2020 ishte 458.25 milion euro.

    Me qëllim të përmbushjes së kontributit vjetorë të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Qendrën Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjat, për vitin 2020, janë ndarë mjete financiare në shumën prej 20 mijë e 721 euro.

    Është aprovuar nga Qeveria edhe ndryshimi dhe plotësimi i Planit Strategjik 2019-2021 për Rezervat shtetërore të Mallrave. Me këtë ndryshim – plotësim sigurohen dhe garantohen për tri vitet e ardhshme furnizimi me produktet e nevojshme të Rezervës Shtetërore, të parapara me Ligjin për Rezervat Shtetërore të Mallrave. Gjithashtu, ndryshimet dhe plotësimet janë hartuar për tu përshtatur me kërkesat pas situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19. Përvoja e kaluar ka treguar se në listën e produkteve strategjike duhet të shtohen edhe produkte të natyrës higjienike, shëndetësore dhe të ujit të pijshëm.

    Me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është aprovuar Plani i Veprimit me të cilin janë përcaktuar kriteret për ndarjen e mjeteve në vlerë 2.5 milion euro, sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për zbatim e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike, të datës 29 shtator 2020.

    Edhe vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për aprovimin e Tarifave të Përgjithshëm për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur në rastin e ritransmetimit është aprovuar nga Qeveria e Kosovës me propozim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Tarifat përcaktohen si tarifa mujore dhe e shtyn afatin e fillimit të zbatimit të këtij vendimi deri më 1 prill 2021.

    Po ashtu, me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qeveria e ka shpallur muajin nëntor 2020 “Muaji të Anton Çetës”. Me vendim është miratuar edhe Programi i aktiviteteve për këtë muaj që do të jenë në përkujtim dhe nderim të jetës dhe veprës së Anton Çetës.

    Qeveria ka emëruar znj.Bahrije Spanca anëtare të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve në Ndërmarrjen Publikë Qendrore “Telekomi i Kosovës” sh.a. e cila do të shërbejë në këtë pozitë deri në emërimin e Bordit të rregullt të kësaj ndërmarrjeje.

    Kanë marrë miratim nga kabineti qeveritar edhe kriteret për mbështetjen e sektorit privat në fushat specifike, për zbatimin e masave të Qeverisë së Kosovës në Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike. Kriteret do të publikohen bashkë me thirrjen publike për aplikim dhe me formularët që aplikuesit janë të obliguar t’i dorëzojnë në rastin e aplikimit.

    Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë 1/17 të datës 27 mars 2020 për shkarkimin e Bordit Drejtues të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës dhe formimin e bordit të ri. Me ndryshimet dhe plotësimet e miratuara Dr.Diana Dafota zëvendësohet nga Dr. Naim Hoxha; Dr.Sadete Hadri, për shkak të pensionimit, zëvendësohet me Vjollca Kadolli dhe Mirsad Shkreta zëvendësohet me Dr. Diellor Rizaj. Pjesa tjetër e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës mbetet sipas vendimit paraprak.

    Qeveria ka miratuar vendimin për shtesat mujore mbi pagën bazë për personelin e institucioneve shëndetësorë publike, sipas kategorive: Kategoria I – Mjekët 250 euro në muaj; Kategoria II- Infermierët 150 euro në muaj; dhe Kategoria III- Stafi teknik 100 euro në muaj.

    Nga Rubrika
    Lajme16 Nëntor 2024
    Është raportuar në polici se një shtëpi në fshatin Shkarashnik të Malishevës është djegur. Policia ka bërë të ditur se zjarri është...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Policia ka ndaluar në Bërnjak një furgon me targa serbe, që po drejtohej nga një shtetas i Serbisë dhe me atë automjet...
    Lajme16 Nëntor 2024
    55 aksidente trafiku kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vend. 26 nga këto aksidente kanë qenë me të lënduar dhe...
    Të tjera
    Lajme16 Nëntor 2024
    Dy vrasje në Klinë dhe disa persona të therur me thikë, kanë tronditur Kosovën gjatë kësaj jave. Të hënën në Ferizaj janë...
    Lajme16 Nëntor 2024
    67 kandidatë kanë kaluar me suksese testin nga fusha penale dhe civile të mbajtur në Akademinë Kosovare për Siguri Publike për 21...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale të shkurta me...
    Bota/Rajoni16 Nëntor 2024
    Presidenti i zgjedhur Donald Trump njoftoi të premten se ka zgjedhur zëdhënësen e tij të tranzicionit, 27 vjeçaren Karoline Leavitt si sekretare...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Kryeministri Albin Kurti ka marrë dje pjesë në organizimin për shënimin e 25-vjetorit të themelimit të Bankës Qendrore të Kosovës. Të pranishmëe,...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Gjatë fundjavës në Kosovë pritet të mbizotërojë mot i vranët e kohë pas kohe edhe me diell. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës,...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.